Aktualitet Krifca: Me ligjin e ri, mbështetje bletarëve për regjistrimin, certifikimin dhe daljen...

Krifca: Me ligjin e ri, mbështetje bletarëve për regjistrimin, certifikimin dhe daljen në treg

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca prezantoi në seancën plenare të Kuvendit projektligjin e ri “Për Bletarinë”.

“Sjellim sot për miratim një projektligj shumë të rëndësishëm dhe të kërkuar prej kohësh nga mbrojtësit e bletës dhe prodhuesit e mjaltit në vendin tonë, por në fakt edhe nga konsumatorët dhe nga vetë koha”, u shpreh ministrja Krifca.

Krifca tha se projektligji është ndërtuar në bashkëpunim të plotë me të gjithë shoqatat e bletarëve dhe i përgjigjet problematikave të tyre në përputhje me praktikat më të mira të BE.

“Me anë të këtij projektligji trajtojmë rolin e veçantë të bletarisë në mjedis, bujqësi, ekonomi dhe krijimin e të ardhurave. Bletaria është sektor i rëndësishëm i bujqësisë së vendit që shërben si burim prodhimesh natyrale me vlerë të lartë ushqimore dhe mjekësore”, theksoi ministrja.

Ministrja u ndal në mbështetjen adresuar këtij sektori.

Bletaria në vendin tonë ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm vitet e fundit. Sot numërohen rreth 400 000 zgjoje bletësh në vend. Gjatë 10 viteve të fundit numri i zgjojeve të bletëve është rritur me 70 %, duke rritur ndjeshëm dhe nivelin e prodhimit.

“Ne kemi qenë në krah të këtij komuniteti prodhuesish të mjaltit gjatë gjithë kohës dhe këtë e vërtetojnë shifrat. Në skemën kombëtare ne kemi rritur me 10 herë numrin e fermerëve të mbështetur krahasuar me vitin 2013. Po kështu kemi rritur me 15 herë fondin e dedikuar për bletarinë gjatë të njëjtës periudhë 2013-2022”, u shpreh ministrja, teksa vuri në dukje se, vetëm në vitin 2022 janë mbështetur rreth 2681 bletarë në të gjithë vendin.

Sipas saj, synimi është rritja e konkurrueshmërisë së produkteve të tyre.

“Pavarësisht dinamizmit dhe rëndësisë, sektori deri më sot nuk kishte një ligj që të rregullojë në mënyrë të plotë dhe shteruese të gjithë problemet e bletarisë në lidhje me marrëdhëniet me shërbimin veterinar dhe pushtetin vendor, territorin, shtegtimet e kontrolluara dhe sigurinë e produkteve të bletës. Me anë të tij promovojmë bletarinë cilësore, instrumentet e skemave të cilësisë, emërtimet e origjinës, treguesit gjeografikë, specialitetet tradicionale të garantuara dhe standardet e etiketimit duke i rritur kështu vlerën tregtare të produktit”, tha Krifca.

Gjithashtu, vuri në dukje ministrja, projektligji parashikon për bletërritësit regjistrimin e detyrueshëm, kushtet për rritjen, transportin, cilësinë e produkteve, masa të cilat do të rrisin besimin e konsumatorit në produktin final.

“Ne integrojmë për herë të parë me këtë projektligj bashkëveprimin midis Ministrisë së Bujqësisë dhe njësive të vetëqeverisjes vendore me aktorët e sektorit të bletarisë për hartimin e programeve trevjeçare të zhvillimit të bletarisë. Këto programe do të synojnë promovimin dhe mbrojtjen e produkteve shqiptare të bletëve, zgjerimin e produkteve me emërtim origjine duke ecur akoma më shumë në shembullin pozitiv të Mjaltit të Bedunicës në Përmet që tashmë është regjistruar si specialitet tradicional i garantuar STG”, u shpreh ajo.

Ministrja Krifca u shpreh se përmes këtij projektligji, MBZHR synon të rrisë formalizimin e sektorit dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve të bletës, si edhe marrëdhëniet e këtij sektori me sektorët e tjerë të bujqësisë.