Kryesore Koalicioni “Bashkë Fitojmë” regjistrohet në zgjedhje, por pa Berishën

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” regjistrohet në zgjedhje, por pa Berishën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar koalicionin “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet lokale të 14 Majit, por duke hequr Partinë Demokratike të Sali Berishës. Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, pranoi regjistrimin e këtij koalicioni vetëm me tre partitë e tjera të kampit opozitar.

“Jemi përballë të njëjtës kërkesë si në zgjedhjet e 6 Marsit. Do regjistrojmë koalicionin “Bashkë fitojmë”, por me parti pjesëmarrëse vetëm me tre parti PL, PDK dhe PBDNJ. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe kundër tij bëhen ankimim në KAS.”

Me këtë formulë, në zgjedhjet e 6 Marsit 2022, Partia Demokratike e drejtuar nga Berisha, mori 1 nga 6 bashkitë që shkuan në votim, atë të Shkodrës, duke dalë forcë e dytë politike.

Sipas marrëveshjes së arritur me Partinë e Lirisë, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partinë Demokristiane, kandidatët e koalicionit do të jenë ata që kanë dalë nga primaret e Partisë Demokratike, përveç marrëveshjeve të veçanta me aleatët.

Partia e Lirisë, siç ka bërë të ditur kryetari i saj, do të kërkoje të marrë sa më shumë mbështetje për këshilltarët bashkiakë.

KQZ regjistroi gjithashtu edhe koalicionin “Aleanca liberale e Djathtë”, pjesë e të cilit janë Partia e Ballit Kombëtar Demokrat, Bashkimi Liberal Demokrat dhe Partia Bashkimi Demokrat, të cilat përfaqësohen në kuvend me tre deputetët e deklaruar Luan Baçi, Tritan Shehu dhe Edmond Spaho.

Edhe ky koalicion konsiderohet nga opozita si një mekanizëm për të maksimalizuar votat për koalicionin opozitar.

Ndërkohë, bazuar në vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, për vendoret e 14 Majit Celibashi regjistroi Partinë Demokratike me nënkryetar Enkelejd Alibeajn.