Sot bëhen 14 vjet që kur Shqipëria u anëtarësua në NATO më 1 Prill 2009.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me këtë datë kaq të rëndësishme. Ai shprehet se Shqipëria është krenare që është pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë.
“14 vjet Shqipëria në NATO! Krenarë që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë”, shkruan Begaj.
Në lidhje me këtë datë të shënuar ka reaguar edhe ambasada amerikane. Në një deklaratë thuhet se Shqipëria, që prej anëtarësimit ka qenë pjesëmarrëse aktive në përpjekjet e mbrojtjes së përbashkët dhe stabilitetin rajonal. Po ashtu, SHBA vlerëson partneritetin e fortë me Shqipërinë.
“Shqipëria ka qenë që atëherë një pjesëmarrëse aktive në përpjekjet e mbrojtjes së përbashkët dhe stabilitetin rajonal. Si një anëtare e rëndësishme e NATO-s, Shqipëria ka treguar përkushtimin e saj për të çuar përpara paqen dhe sigurinë dhe ka luajtur një rol jetik në mbështetjen e misioneve dhe operacioneve të drejtuara nga NATO. Si një aleat dhe partner krenar, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të fortë me Shqipërinë dhe presim me kënaqësi të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt synimeve tona të përbashkëta për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë”, thuhet në deklaratë.
Më 1 prill 2009 Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.
Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.
Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 Prill 2009, ndërkohë që më 7 Prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Një ditë më vonë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.