Aktualitet Piktori shqiptar u arrestua se policia ngatërroi çajin me kanabis, Rama: Si...

Piktori shqiptar u arrestua se policia ngatërroi çajin me kanabis, Rama: Si do reagonte Sunak po ti ndodhte kjo një britaniku në Shqipëri?

Agim Agaj, shqiptari i arrestuar në Angli.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit që u publikua në media se një shqiptar në Britani të Madhe u mbajt për 15 orë në qeli pasi efektivët ngatërruan çajin e malit me marjuanë. Ndërsa ka publikuar lajmin e britanikes ‘The Sun’, kryeministri e cilëson një situatë të dëshpëruese, por tregohet i ashpër edhe me autoritetet britanike.

Përmes një postimi në ‘Twitter’, Rama kërkon që ‘persekutorët’ e shqiptarit Agim Agaj, me profesion piktor, duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë situatë. Kreu i qeverisë thotë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Britaninë e Madhe për të goditur grupet kriminale, por ai bën të qartë se nuk mund të këtë bashkëpunim nëse komuniteti shqiptar në Britani nuk trajtohet me dinjitet.

Këtë gjë Rama e bëri të qartë edhe me homologun e tij britanik, Rishi Sunak gjatë vizitës në Londër.

“Ju bëj thirrje ta lexoni të plotë dhe i falënderoj shumë autorët e asaj historie të trishtë, jo vetëm në emër të Agimit dhe shqiptarëve, por edhe për të vënë në dukje vështirësitë me të cilat përballen njerëzit e guximshëm që kanë emigruar në këtë vend të madh. Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të ofruar gjithçka që është e nevojshme për një luftë të suksesshme kundër rrjeteve kriminale. Megjithatë, nëse Britania nuk mund të tregojë respekt për komunitetin shqiptar me veprime në vend të fjalëve, si mund të presim bashkëpunim të suksesshëm midis qeverive tona?”, shkruan Rama.

Ndërkohë, Rama ka ngritur edhe një pyetje për homologun e tij Rishi Sunak, për të cilin shkruan se nuk e di se si do të ndihej ai nëse një situatë e tillë do t’i ndodhte një shtetasi britanik kjo gjë në vendin tonë.

“Të gjithë e dimë përgjigjen, por ajo që nuk jam i sigurt është se si miku im Rishi Sunak do të përballej nëse një shtetas britanik do të arrestohej në Shqipëri për bartjen e çajit anglez dhe do të akuzohej si tregtar droge! Kjo situatë është dëshpëruese dhe persekutorët e Agimit duhet të mbajnë përgjegjësi!

“Agim Hoxhaj është një anëtar brilant i komunitetit shqiptar, që jep drejtësi në Britani, ndërsa Agimi është një piktor shqiptar punëtor që lyen shtëpi për britanikët. Çfarë po shkakton një padrejtësi kaq të rëndë në Britani që këta individë të virtytshëm të vuajnë kështu?”, shkroi Rama në Twitter.