Aktualitet Vlora Hyseni prezantohet si drejtuesja e re në SHISH

Vlora Hyseni prezantohet si drejtuesja e re në SHISH

Vlora Hyseni është drejtuesja e re e Shërbimit Informativ të Shtetit. Pasi Hyseni u dekretua dje nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj, këtë të Martë ajo është prezantuar në institucionin që do të drejtojë.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri i vendit Edi Rama, i cili ka ndarë në Facebook-un e tij një foto bashkë me drejtuesen e re të SHISH Vlora Hyseni, ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe nëndrejtorin e SHISH Oljan Kanushi.

“Sapo mbaruam prezantimin në institucion të drejtores së re të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila u dekretua dje nga Presidenti i Republikës, urime”, shkruan numri një i qeverisë.

Propozimin për Vlora Hysenin në krye të SHISH e dha Kryeministri më 17 Mars të këtij viti, pas një takimi me Presidentin Begaj. Në momentin e propozimit, kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se kishte besim të plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.

Për 4 muaj deri në Korrik të vitit 2021, Hyseni ka drejtuar Agjencinë e Kosovës për Inteligjencën, si e komanduar edhe pse emërimin e kishte si zv/drejtoreshë.

Në dy vitet e fundit, Vlora Hyseni ka sherbyer si këshilltare e kryeministrit Edi Rama për sigurinë.