Politika Berisha nga Tropoja: Zonat veriore kanë 10 vite që diskriminohen nga Rama

Berisha nga Tropoja: Zonat veriore kanë 10 vite që diskriminohen nga Rama

Bashkia e Tropojës ishte ndalesa e Sali Berishës ku para demokratëve prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Besnik Dushaj.

Berisha akuzoi qeverinë Rama për diskriminim të zonave të veriut sa i takon investimeve. “Më thoni mua në 10 vite, përveçse janë asfaltuar 10 km rrugë, çfarë investimesh ka bërë kjo qeveri për alpet dhe banorët e tyre? Zero, përkundrazi në vitin 2013, ne hoqëm për 8 vite taksat për çdo investim në zonat malore. Ligji i parë që ndryshoi, ishte anulimi i këtij ligji. Këto tetë vite kanë qenë vitet e diskriminimit ekstrem për veriun”, tha Berisha.

Kreu i rithemelimit të PD i bëri thirrje kryebashkiakut socialist të Tropojës, Rexh Byberi, që t’i hiqet titulli “Qytetar nderi’, ish-zyrtarit të FBI-së McGonigal. Përndryshe, Berisha u zotua se ky do të jetë vendimi i parë që do marrë këshilli i ri bashkiak në Tropojë.

“Rexhë, po vazhdove, nuk ndalesh në gabimin tënd. Mirë është që para se të ikësh, tradhtarit të kombit amerikan, t’ia heqësh atë qytetari nderi, se ajo është qytetari turpi. Të garantoj se miku yt, Edi Rama do ketë fatin e tij. Ai do përfundojë siç përfundoi McGonigal dhe të tjerë që janë implikuar, ndaj të paktën mos e lër atë titull aty se është i turpshëm”.

Berisha foli edhe për projekte me PD-në në pushtet, pa harruar nga vëmendje Kosovën. “Autostrada e Bregut të Drinit do jetë autostrada e alpeve, do jetë një nga projektet më kryesore. Sapo të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, Shqipëria do firmosë marrëveshje me Kosovën për vendosjen e dyshtetësisë”.

Berisha premtoi se PD do t’i shpallë luftë varfërisë, që sipas tij, ka mbuluar zonat veriore.