Në zbatim të ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin pasuror nr.5, datë 09.02.2023, në lidhje me pasuritë në zotërim të subjekteve Bardhok Shota dhe Kastriot Shota, si dhe personave të lidhur me ta.
Subjektet e këtij procedimi pasuror, vëllezërit Bardhok Shota dhe Kastriot Shota, banues në fshatin Derven, Fushë Krujë, janë hetuar dhe po gjykohen nga autoritetet e Mbretërisë së Belgjikës, pasi në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal janë marrë me aktivitetin e kundraligjshëm të kultivimit të kanabisit gjatë periudhës Qershor-Korrik 2020, si dhe nga autoritetet ligjzbatuese belge janë zbuluar disa plantacione me kanabis në zonat Saint-Josse-Ten-Noode dhe Antwerp.
Nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe shërbimet e policisë gjyqësore në Njësinë “E” për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore të Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë janë bërë hetime në lidhje me pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme prej subjekteve Bardhok Shota dhe Kastriot Shota, si dhe personave të lidhur me ta.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.10, datë 17.02.2023 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e pasurive të subjekteve nën hetim pasuror Bardhok Gjon Shota dhe Kastriot Gjon Shota, si dhe të personave të lidhur si më poshtë:
1.Pasuri e paluajtshme në pronësi eventuale të shtetasit Gj. Shota (babai i subjekteve të hetimit pasuror), e deklaruar në proces legalizimi e ndodhur në Kodër-Derven, Krujë.
2.Pasurisë së paluajtshme “Apartament” nr. 1, me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi prej 50.3 (pesëdhjetë pikë tre) m², i ndodhur në Golem-Kavajë, në pronësi eventuale të shtetasit Gj. Shota (babai i subjekteve të hetimit pasuror).
3.Pasurisë së paluajtshme “Apartament” nr. 2, me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi prej 45.2 (dyzet e pesë pikë 2) m², i ndodhur në Golem-Kavajë, në pronësi eventuale të shtetasit Gj. Shota (babai i subjekteve të hetimit pasuror).
4.Pasurisë së paluajtshme “Apartament” nr. 3, me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi prej 40.2 (dyzet pikë 2) m², i ndodhur në Golem-Kavajë, në pronësi eventuale të shtetasit Gj. Shota (babai i subjekteve të hetimit pasuror).
5.Pasurisë së luajtshme mjetit motorik të markës Dayang, modeli DY110-18, vit prodhimi 2013, i llojit motor.
Për Administrimin dhe përdorimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme është ngarkuar Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Tiranë.
Në zbatim të urdhërit të ekzekutimit të datës 17.02.2023 të Prokurorisë së Posaçme të kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, janë bërë njoftimet përkatëse pranë Drejtorive vendore të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës Kavajë dhe Krujë, si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, si dhe më datë 8 Mars 2023 nga përfaqësuesit e Agjensisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara është bërë sekuestrimi i tre apartamenteve të ndodhura në Golem, Kavajë.
Përsa i përket Pasurisë e paluajtshme në pronësi eventuale të Shtetasit Gj. Shota, e deklaruar në proces legalizimi, e ndodhur në Kodër-Derven, Krujë, nga përfaqësuesit e Agjensisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit është mbajtur akt-konstatimi përkatës, duke qenë se objektin në ndërtim e sipër nuk kishte asnjë person që të firmoste proçesverbalin e sekuestros.
Në lidhje me mjetin motorik për të cilin është vendosur sekuestrimi është bërë njoftimi pranë Drejtorive Vendore të Policisë së Shtetit për bllokimin e këtij mjeti për efekt të zbatimit të vendimit të gjykatës për sekuestrim.