Robert F Kennedy Jr, ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për të garuar për President të SHBA në 2024-n, në radhët e demokratëve. 69-vjeçari është djali i senatorit të vrarë në atentat Robert F. Kennedy dhe nipi i Presidentit John F. Kennedy, i cili u vra në atentat në Dallas, Teksas, në vitin 1963.
Kennedy është një prej zërave më të njohur të fushatave kundër vaksinimit. Në 2021, Instagram i mbylli llogarinë pasi në mënyrë të përsëritur përgënjeshtronte deklaratat pro vaksinimit.
Si republikanët ashtu edhe demokratët zhvillojnë Primare, për të shkuar deri tek kandidati kryesor për president për zgjedhjet e 2024-s.
Presidenti aktual Joe Biden ka lënë të kuptohet se do të rikandidojë për një mandat të dytë, megjithatë nuk e ka deklaruar kandidaturën e tij ende formalisht. Ai pritej që ta niste fushatën në fillim të Prillit, por ndihmësit e tij thonë se afatet kanë ndryshuar.
Sipas BBC, Biden pritet që ta shpallë tashmë kandidaturën në fillim të verës. Muajin e shkuar, një tjetër demokrate, Marianne Williamson iu bashkua garës presidenciale.
Në Mars, Kennedy tha në Twitter se po e konsideronte garën për Presidencialet.
Në atë kohë ai tha: “Nëse garoj, prioriteti im kryesor do të jetë që t’i jap fund shkrirjes korruptive mes shtetit dhe pushteti të korporatave që kanë shkatërruar ekonominë tonë, kanë dëmtuar klasën e mesme, kanë ndotur ajrin e ujin, kanë helmuar fëmijët tanë dhe na kanë grabitur nga vlerat dhe liritë tona”.
Si bashkëthemelues i një kompanie ligjore për mjedisin, Kennedy ka marrë mjaft vlerësime për fushatat e tij në çështje si pastrimi i ujit, përfshirë puna për të pastruar lumin Hudson në New York.
Por këndvështrimi i tij kundër vaksinimit daton vite më parë dhe ka provokuar reagime të forta, përfshirë nga familja e tij. Në 2021, motra e tij, Kerry Kennedy e quajti “tejet të rrezikshëm”, sa i përket kësaj çështje.
Në 2019-n, 3 anëtarë të tjerë të familjes dolën publikisht kundër tij në një shkrim në Politico, ku denonconin këndvështrimin e tij kundër vaksinimit.
Ndonëse skepticizmi i Kennedy-t daton shumë më para Covid, ai gjeti një audiencë të re gjatë pandemisë, kur të ardhurat e grupit të themeluar prej tij kundër vaksinimit, i quajtur Mbrojtja e Shëndetit të Fëmijëve, u dyfishuan në 6.8 milionë dollarë.
Kennedy publikoi po ashtu një libër, The Real Anthony Fauci (Anthony Fauci i vërtetë), ku akuzonte ish-kreun e sëmundjeve infektive në SHBA për një “grusht historik shteti kundër demokracisë perëndimore”.
Ai përmendi po ashtu Gjermaninë Naziste gjatë një fjalimi kundër vaksinës në Uashington DC, vitin e shkuar.
69-vjeçari vuan nga një çrregullim i zërit, disfonia spazmatike, një gjendje që prek muskujt e kordave vokale. Ai u martua me aktoren Cheryl Hines në 2014 dhe jeton në Los Angeles, California.