Shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR për procesin zgjedhor të 14 Majit Audrey Glover është prononcuar këtë të premte për mediat.
Për Glover dhe gjithë vëzhguesit e OSBE/ODIHR e zgjedhjeve në vend, e rëndësishme është që procesi të garantojë votën e lirë dhe kandidim të barabartë.
“Jemi të interesuar të shohim nëse procesi është në përputhje me rekomandimet e OSBE-së që përfshijnë parimet e barazisë, drejtësisë dhe votimit të fshehtë. Ajo që na intereson është që rezultatet e zgjedhjeve të nxirren dhe të shpallen në mënyrë korrekte. Kandidatët duhet të luajnë në kushte të barabarta dhe votuesit duhet të kenë të drejtën universale për të votuar. Zgjedhësit duhet të kenë mundësinë të votojnë të lirë e të sigurt dhe që vota e tyre të numërohet dhe llogaritet në mënyrë korrekte. Roli ynë është të bëjmë një vlerësim teknik të procesit. I takon pastaj shoqërisë civile, politikanëve, qeverisë të vendosin se si do i konsiderojnë vlerësimet tona. Jam e lumtur që pata mundësinë të prezantoj misionin para jush, i cili do të jetë tërësisht transparent”, u shpreh Glover.
E pyetur për situatën zgjedhore të tanishme krahasuar me atë të 4 viteve më parë, Glover tha se procesi mbetet për t’u parë në vijim.
“E para njëherë është e kuptueshme që ne nuk krahasojmë zgjedhjet, sapo kemi mbërritur do i shohim shumë me kujdes, do shohim se çfarë do ndodhë dhe sigurisht shpresojmë për më të mirën.”
Sipas saj, e rëndësishme është monitorimi sa më i kujdesshëm i fushatës zgjedhore.
“Në fakt në një raport që ka nxjerrë misioni, është identifikuar kjo fushë si një nga më të rëndësishmet për t’u vëzhguar dhe ne do ta shohim me shumë kujdes fushatën. E kemi parë Komisionin e Reformës Zgjedhore, janë bërë disa ndryshime të mëdha në mënyrën si operon, ka një tjetër strukturë, ka 3 nivele, organe. Kërkojmë që të gjitha rekomandimet tona të zbatohen.”
Britanikja nënvizoi se do takojë cilindo të përfshirë në procesin elektoral, deklaratë kjo pas pyetjes për një takim të mundshëm me Sali Berishën.
“Me shumë kënaqësi ne kemi ndërmend të takohemi me cilindo që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor.”