Pas Vorës, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta bëhen bashkë edhe në Durrës ku prezantuan kandidatin Igli Cara. Për ta ka ardhur koha që Durrësi t’i kthehet qytetarëve.
“Më 14 maj, ju me Igli Carën, me një mision historik, do rivendosni në Durrës pluralizmin. Më 14 maj, ju me Igli Carën, do i thoni ndal të keqes. Mençuria e durrsakëve fton çdo qytetar të këtij rrethi të votojë më 14 maj ndryshimin. Ajo zonja që është përballë Igli Carës del nga sirtarët e Gjushit. Ajo ka një dyshe që është një nga dyshet më mafioze jo vetëm në Shqipëri, por edhe Ballkan dhe më gjerë. Gjushi dhe Ardian Çela, mikpritësit e Masimo Delanos, nxënësit e tij në Shqipëri. Gjush, thuaj sa para nga taksat e shqiptarëve i ke dhënë McGonigalit? Në respekt të qytetarëve të Durrësit, i ftoj mikut tim Igli Cara ta ftojë në debat, të marrë suflerët me vete, Gjushin dhe Çalën. Këta nuk pyesin për qytetarët, pyesin vetëm për llogaritë e tyre bankare. 14 maji është fundi i Gjushit, fundi i Ardian Çelës, fundi i Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta theksoi se aftësia e Igli Carës për të ndërtuar ura komunikimi me të gjithë është garancia më e madhe.
“Aftësia e tij për të ndërtuar ura komunikimi me të gjithë edhe me ata që mund të mendojnë ndryshe është garancia më e madhe, se Durrësit do t’i kthehet qytetaria. Dhe se Durrësi në 14 maj do të votojë për triumfin e qytetarisë mbi arrogancën dhe përjashtimin. Do të votojë që vendimet e Këshillit të Bashkisë të merren në transparencë të plotë. Do të votojë për atë model që kanë të gjithë kandidatët tanë i cili është modeli më i shkëlqyer i llogaridhënies për çdo taksë që do të paguhet e cila duhet t’i kthehet në mënyrën më transparente komunitetit”.