Opinione Zgjedhjet vendore të 14 majit – Beteja midis profesionistëve dhe amatorëve

Zgjedhjet vendore të 14 majit – Beteja midis profesionistëve dhe amatorëve

Dr. Bledar Kurti

Në çdo betejë zgjedhore është fare e lehtë të parashikohet fituesi. Këtë lehtësi nuk na e ofron e ardhmja me suprizat e saj apo me profeci individuale pijetoresh, por na e ofron e kaluara. Mjafton të njohësh historinë e do njohësh edhe të ardhmen, pasi, siç dihet e siç është provuar, nuk ka asgjë të re nën diell.

Dhe ja çfarë na mëson historia: Që asnjë ushtri e përçarë, e pastërvitur dhe amatore nuk ka fituar kurrë kundrejt një ushtrie profesioniste.

Ushtritë profesioniste, gjatë dymijë e pesëqind vitet e fundit, në çdo formë, terren e mision të tyre, janë bazuar mbi dy strategji luftarake: Falangat Greke dhe Legjionet Romake.

Falangat dhe Legjionet ishin një formacion ushtarak masiv drejtkëndor, i përbërë zakonisht tërësisht nga këmbësoria e rëndë e stërvitur dhe armatosur mirë. Ato marshonin përpara si një entitet. Si një trup.

Ishin të pathyeshëm.

Sigurisht që betejat zgjedhore nuk i përafrohen atyre luftarake, por parimi mbetet i njëjtë për çdo përballje. Sikurse edhe përballja e profesionalizmit me amatorizmin është gdhendur ndër epoka si një përballje universale.

Natyra e partive politike ka ndryshuar gjatë dekadave të fundit. Ndarja tradicionale midis së majtës dhe të djathtës është shuar. Kjo ka ndodhur jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë, me ideologiitë politike të mbetura vetëm në libra e tekste shkollore për studiuesit e politikës. Ditët e sotme partitë kanë formën e korporatave. Dhe ashtu si korporatat kanë organigramë të mirëpërcaktuar të drejtimit, politikave zhvillimore, financës, prodhimit, marketingut dhe shitjeve. Një organizim “ushtarak” me falanga e legjione, kalorësi e strategji, për të konkurruar e dominuar tregun.

Kësisoj, për të dalluar qysh në krye të herës, fituesit dhe humbësit e 14 majit, por edhe çdo beteje zgjedhore në të ardhmen, mjafton të kuptosh se kush vepron në formacion të disiplinuar me besimin te strategjitë e provuara me këmbë në tokë, e kush hidhet përpjetë si guerilas me shpresën te yjet dhe horoskopi.