Aktualitet “Do të vrasim ty dhe familjen”, kërcënohet biznesmeni që fitoi tenderin. Tre...

“Do të vrasim ty dhe familjen”, kërcënohet biznesmeni që fitoi tenderin. Tre të arrestuar nga Policia e Elbasanit

Tre persona janë arrestuar dhe një i katërt është shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit pasi kërcënuan me jetë një biznesmen që të tërhiqej nga një tender publik që kishte fituar.

Të arrestuarit janë Edmir Boci 37 vjeç, Algert Alcani 27 vjeç dhe Shaqir Alcani 62 vjeç të tre banues në Tiranë, ndërsa në kërkim është L.K. 38 vjeç. Të gjithë akuzohen për shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë.

Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kërcënuan biznesmenin E. M., administrator i një biznesi me qendër në Cërrik, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një tender publik e fituar në Bashkinë e Tiranës, nga firma që ai administronte.

Biznesmeni nuk ka pranuar të tërhiqet dhe të arrestuarit e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij.

Gjatë finalizimit të aksionit “Tenderi”, policia sekuestroi makinën e përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare.

Hetimet zgjatën një muaj dhe në aksion morën pjesë strukturat hetimore të Drejtorisë së Policisë Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.