Sport Spektakël i City në shtëpi, Bayerni pothuajse jashtë Champions. Interi, perfekt në...

Spektakël i City në shtëpi, Bayerni pothuajse jashtë Champions. Interi, perfekt në Portugali

Një fitore spektakolare ka arritur të shënojë Manchester City në finalen e parakohshme të Champions League përballë Bayern Munchen.

Qytetarët fituan me rezultatin e pastër 3-0 përballë bavarezëve duke e parë veten me një këmbë në gjysmëfinalen e kompeticionit më të rëndësishëm për klube.

Rodri, Silva dhe Halaand ishin tre golashënuesit e kësaj mbrëmje që i bën djemtë e Guardiolës të ëndërrojnë për një trofe të mundshëm.

Tashmë gjithçka do të vendoset pas një jave në Gjermani, por duke parë rendimentin e lojës duket një mision i pamundur për bavarezët.

Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Interi ka mbyllur 90 minuta gati perfekte në çerekfinalen e parë të Champions League të zhvilluar në Portugali ndaj Benfica-s, të cilat i mbylli me fitoren e pastër 0-2.

Zikaltrit dominuan pjesën e parë, duke zhvilluar një lojë të kujdesshme në prapavijë, ndërsa tentuan me anë të kundërsulmit të gjenin golin e parë, i cili erdhi me nisjen e pjesës së dytë.

Barella, ndoshta lojtari më i rëndësishëm i Inzgahi-t, realizoi golin e parë në minutën 51 pas një asisti të dhënë nga Bastoni. Pavarësisht golit, Benfica nuk mundi të reagonte dhe italianët shënuan edhe golin e dytë, të cilin e realizoi me 11-metërsh Lukaku.

Me këtë fitore, Interi kthehet i sigurt në shtëpi në ndeshjen e ardhme, e cila do të zhvillohet të mërkurën e javës së ardhshme në San Siro.