Emisioni “Downtown” nga Ilnisa Agolli, në Euronews Albania, pasqyroi në emisionin kësaj jave një nga qytetet më të rëndësishme në Greqi, për sa i përket historisë, artit, kulturës dhe ekonomisë, Selanikun.
Krahas pasqyrimit të atraksioneve turistike, historisë së qytetit dhe intervistave të banorëve lokal, Ilnisa Agolli u ndal dhe në një bashkëbisedim miqësor me kryebashkiakun e Selanikut, Kostantinos Zervas.
Agolli e pyeti kryebashkiakun e Selanikut në lidhje me origjinën e tij dhe mbi vërtetësinë e lajmeve nëse ai i ka rrënjët shqiptare.
Në përgjigjen e tij Zervas, theksoi se në Ballkan të gjithë kanë rrënjë të përbashkëta, duke pranuar më tej se gjyshja e nënës së tij ka lindur në qytetin e Korçës.
Pjesë nga intervista:
Ilnisa Agolli: A keni punësuar të rinj shqiptarë në Bashki?
Kryebashkiaku i Selanikut: Janë të shumtë shqiptarët që punojnë, rreth 4.000 të punësuar që ka Bashkia e Selanikut, bashkia e dytë më e madhe në vend. Për fat të keq shumica nuk janë të rinj, sepse për shkak të krizës financiare nuk kemi pasur shumë rekrutime në 12 vitet e fundit. Por e di mirë që janë shumë të rijnë që punojnë me biznese. Ata merren me zhvillimin e qytetit tonë dhe kanë projekte shumë të rëndësishme në qytetin tonë.
Ilnisa Agolli: Dëgjoni zoti Zerva. Unë kam dëgjuar diçka rreth origjinës suaj. Nuk e di nëse është e vërtetë apo jo, por thonë se origjina juaj është nga Shqipëria?
Kryebashkiaku i Selanikut: E dini që në Ballkan kemi rrënjë të përbashkëta, në kuptimin që kur Ballkani ishte një hapësirë lëvizëse, kur ishte një hapësirë më e gjerë për kombet e ndryshme, gjyshja e nënës sime kishte lindur në Korçë. Ishte me origjinë greke dhe është vendosur në manastirin që sot quhet Bitola. Atje kishte takuar stërgjyshin tim. Atje lindi babai i mamasë sime dhe pas disa viteve, në 1912 u transferua në Selanik ku lindi nëna ime.
Ilnisa Agolli: Po për sa i përket zgjedhjeve, a keni marrë ndonjë mesazh sepse jemi shumë afër?
Kryebashkiaku i Selanikut: Ky vit është viti i zgjedhjeve, është një vit që do kemi zgjedhje vendore në shtetin tonë. kemi dhe zgjedhjet bashkiake. Në tetor do jenë zgjedhjet bashkiake. Do rikandidoj për një mandat të dytë. Besoj se populli i Selanikut do më tregojë besimin e vetë për punën që është bërë që të vazhdojë projektin që Selaniku të bëhet akoma më tërheqës. Mikpritës për qytetarët e tij, por edhe një qytet që ia vlen të vizitohet dhe të investohet në frymën e globalizmit që ekziston nga e gjithë bota dhe veçanërisht nga Ballkani.