Kandidati i Partisë Demokratike të Alibeajt për bashkinë e Mirditës Mark Gjon Ruçi është tërhequr nga gara elektorale këtë të Mërkurë.
Në letrën që Ruçi ka dorëzuar në KZAZ-së në Mirditë, shkruhet:
“Unë i quajtur Mark Gjon Ruçi i datëlindjes 20.08.1961 në Tarazh Mirditë, banues në Rubik Mirditë paraqes kërkesën si më poshtë: Duke qenë kandidat për kryetar bashkie në Mirditë propozuar nga PD, për arsye personale dhe familjare deklaroj me vullnet të lirë dhe të plotë se tërhiqem nga gara e zgjedhjeve të 14 Majit. Lutem konfirmoni në KQZ dorëheqjen time për tu përjashtuar nga lista e kandidatëve për kryetar bashkie në Mirditë”.
Kujtojmë se Ruçi është kreu aktual i degës së PD në Mirditë dhe u vlerësua nga kjo forcë politike si një kandidat me potencial për të marrë fitoren në këtë bashki. Tashmë Enkelejd Alibeaj do të garojë me 14 kandidatë.
Partia Demokratike zyrtare pritet të garojë në Dimal, Kuçovë, Dibër, Fier, Mallakastër, Patos, Gjirokastër, Këlcyrë, Tepelenë, Pukë Vau-Dejës, Kamëz, Tiranë, Finiq dhe Sarandë.
Jo vetëm kandidatët për kryetar bashkie, por edhe për Këshillin Bashkiak nuk do të garojë në çdo bashki. Alibeaj ka dorëzuar listën me emra për këshill bashkiak në 54 bashki, duke mos u futur në garë në 7 prej tyre, Vorë, Skrapar, Devoll, Pustec, Roskovec, Dropull dhe Krujë.