Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është përplasur sot me një gazetare të Vizion Plus për çështjen e Astrit Veliajt.
I renditur i dyti në listën e qarkut të Beratit nga PD, Veliaj pritet të zërë vendin e lënë bosh nga largimi i Eduard Halimit.
Por në qarkun e Beratit, ashtu si në disa qarqe të tjera, Partia Demokratike është gjobitur nga KQZ për shkak të mosrespektimit të kuotave gjinore në lista, duke mos përfshirë asnjë femër në tre emrat kryesues të listës së kandidatëve.
Në këtë mënyrë, mandati i Halimit duhej t’iu kalonte dy grave që ishin në fund të listës.
Por gratë që ishin në listë (Juvina Vani dhe Monika Qosja) e kanë refuzuar mandatin. Siç duket të detyruara.
Pasi Monika Qosja në një reagim të parë për mediat deklaroi se do ta pranonte mandatin, ndërsa në një deklaratë të dytë, tha se do ta refuzonte pa dhënë asnjë arsye.
Dhe prej kësaj çështje, kreu i PD-së ka replikuar sot me gazetarët.
“Astrit Veliaj është numri dy në listën e Beratit. Partia Demokratike për shkak të kuotave gjinore… e vendos KQZ kush do e marrë mandatin dhe kjo është çështje vullneti personal”, tha Basha duke i bërë bisht sqarimit, kur u pyet se pse kandidatet për deputete po jepni dorëheqje të çuditshme.
Por gazetarja e Vizion Plus kërkoi nga Basha një qëndrim, nëse ajo që po ndodh me kandidatet e listës së PD në Berat, ngjan me kandidatët e PS në Lezhë, që u tërhoqën për t’i hapur rrugë mandatit të Arben Ndokës.
“A rrezikojmë të jemi në të njëjtin rast si me rastin e Lezhës kur u tërhoqën dy kandidate nga lista?” ishte pyetja e gazetares së Vizion Plus.
Por ndoshta i papërgatitur për pyetjen, Basha në këtë moment është acaruar me gazetaren, duke iu përgjigjur kështu: “Në asnjë gjë nuk ngjan me të. Aq sa ngjan televizioni juaj me një motorskaf droge. Se Arben Ndoka është një person i dënuar për prostitucion, ndërsa në këtë rast nuk kemi asnjë pretendim për kriminalitet kushdo qoftë deputeti i ardhshëm”.
Në këtë mënyrë, Basha i hapi rrugën hyrjes në Parlament të biznesnenit Veliaj.