Sport Milan bëhet makthi i Napolit. Real Madrid i pandalshëm në Champions, likuidon...

Milan bëhet makthi i Napolit. Real Madrid i pandalshëm në Champions, likuidon Chelsean

Milani rrëmben një fitore ndaj Napolit që mund të vlejë shumë për kualifikimin drejt gjysmëfinales së Champions League ku shpreson në një derbi milanez.

Në “San Siro” kuqezinjtë fitojnë minimalisht me golin e pjesës së parë, por i heqin Napolit edhe dy lojtarë të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit si Kim apo Anguissa, i pari që plotësoi numrin e kartonëve të verdhë dhe i dyti la skuadrën me 10 lojtarë në minutat e fundit.

Pa Osimhen në sulm dhe me Kvaratschkelia-n të izoluar, Napoli nuk tregoi asgjë nga paraqitjet e këtij sezoni duke rënë sërish në grackën e Milanit që pak ditë më parë e mundi edhe në shtëpi 4-0 por për llogari të kampionatit.

Në krahun tjetër, Diaz ishte frymëzuesi i vërtetë i skuadrës së Stefano Piolit që mund të kishte shënuar edhe më shumë se 1 gol nëse do të kishte pasur më shumë qetësi. Gjithsesi, me këtë rezultat, të dyja skuadrat do të shkojnë pothuajse në një përballje të hapur edhe të martën e ardhshme.

Real Madrid i pandalshëm në Champions

S’ka histori në mesjavë për Realin e Madridit dhe duket se Champions League është kompeticioni i krijuar vetëm për skuadrën madrilene, edhe pse ironikisht presidenti Florentino Perez kërkon ta shkrijë për të krijuar Superligën e Europës.

14 herë kampionët e kontinentit i japin një leksion futbolli edhe Chelseat në çerekfinalen e parë të luajtur në “Santiago Bernabeu” duke i kujtuar skuadrës londineze se koha ka kaluar por Reali nuk ka ndryshuar dhe ashtu si sezonin e kaluar, në Madrid Reali triumfon ndaj bluve.

Karim Benzema dhe Asensio të ndihmuar edhe nga një karton i kuq i Ben Chillwell në minutën e 59, u kombinuan për fitoren e pastër 2-0 që e bën superfavorit Realin e Madridit për të kaluar në fazën tjetër edhe pse pas vetëm 6 ditësh duhet të luajë ndeshjen e kthimit në shtëpinë e skuadrës së Lampard i cili grumbullon humbjen e dytë në po kaq ndeshje në krye të stolit.