Gjykata e Elbasanit ka vendosur të mos ekstradojë në Rusi “spiunen” ruse Svetlana Timofeeva, e arrestuar në Shqipëri gjatë vitit 2022.
Timofeeva kërkohet edhe nga autoritetet ruse për veprën penale “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”, vendim ky i dhënë që më 25 gusht të vitit të kaluar nga Gjykata e Meshchanky Moskë.
Por trupa gjykuese e Elbasanit vendosi që të mos e ekstradojë Svetlana Timofeevan drejt shtetit rus. Vetë kjo e fundit ishte shprehur kundër ekstradimit në Rusi.
Mikhael Zarin 24 vjeç, Svetlana Timofeeva 33 vjeçe të dy nga Rusia dhe Fiodor Mihailoviç nga Ukraina, u ndaluan më 20 Gusht 2022 pasi sulmuan me spraj neuroparalizues ushtarakët Ardian Xhaka dhe Aldi Bici, roje të Uzinës Ushtarake të Çekinit në Gramsh ku ata po filmonin pa leje.
Mbi ta rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.
Gjykata ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”.