Në daljen e tij të përjavshme me gazetarët, Sali Berisha ftoi shqiptarët që të marrin pjesë në hapjen e fushatës që Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë do të bëjnë, të shtunën në “Air Albania.” Berisha premtoi se ajo e 14 majit do të jetë fitore si e vitit 1992.
“Në të gjitha metropolet e mëdha parashikohet fitorja e koalicionit tonë. Edhe ata që kanë qenë më skeptik, detyrohen ta shqiptojnë edhe publikisht”, deklaroi ish-kryeministri duke nënkuptuar se retorika e përdorur ndaj grupimit të tij tashmë është ndryshuar.
Në fjalën e tij Berisha bëri thirje që të votohen kandidatët e primareve dhe parashikoi një fitore të ngjashme me atë vitit 1992.
“Kjo fushatë karakterizohet nga një frymë e shkëlqyer optimizmi dhe besimi në fitoren e njëjtë me atë të vitit 1992. Ka një situatë të elektrizuar, të cilën unë e kam përjetuar vetëm në pranverën e vitit 1992.
Ka disa ngjashmëri të tjera, në pollet e asaj kohe, më kujtohet si sot kur kompania më prestigjioze e botës në atë kohë, Gallup, nxori Partinë e Punës 22 pikë përpara PD-së.
Në një kohë kur më 22 mars, Partia e Punës me emër të ri, doli gjithsej me 20 përqind. Gallup, një kompani shumë serioze, mori një vendim: asnjë poll më në Shqipëri. Gjer sot, Gallup USA nuk ka bërë asnjë poll. Ajo që ka bërë poll është Gallup Bulgaria.
Unë besoj se Gallup në atë kohë i mashtroi me qëllim shifrat, por antena lokale që kishte përzgjedhur, e mashtroi në mënyrë të paskrupullet Gallup-in. Edi Rama u ka dhënë kompanive të polleve, nga 1 milionë euro secilës për të falsifikuar rezultatet.
Por e vërteta është se edhe në këtë falsifikim, kandidatët tanë janë në ngjitje vertikale. Ngjitja është vertikale kudo”, tha Berisha.
I pyetur rreth deklaratave të bëra nga Gabriel Escobar gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Berisha tha i pëlqyen si vizita, ashtu edhe deklaratat e bëra nga i dërguari i SHBA-së.
Ai solli në vëmendje se kur u pyet nga Grida Duma për çështjen McGonigal, “ai u përgjigj se nuk komenton për një çështje penale e hapur.”
Dhe kjo sipas Berishës, nënkupton “një derë qelie e hapur për Edi Ramën.”
“E dyta, ai ishte një lajm shumë interesant. Edhe në rast se fiton, tha, pra parashikon fitoren time. Unë e vlerësoj këtë. Unë u thashë se në kryeqytetet e Europës dhe botës po binden për rikthimin e fuqishëm të Sali Berishës dhe fitoren e PD-së,” shtoi ai duke përsëritur edhe një herë se qëndrimi dhe perceptimi ndaj tij po ndryshon.
Duke u ndalur tek ambasadorja Yuri Kim, Sali Berisha përsëriti edhe një herë thirrjet për Inspektorin e Përgjithshëm të DASH, FBI-së dhe Kongresit të SHBA që të hetojnë kryediplomaten amerikane dhe pronat e saj në Shqipëri.