Sport Brighton, leksion Chelseat, Tottenham humbet në shtëpi dhe rrezikon zonën Champions

Brighton, leksion Chelseat, Tottenham humbet në shtëpi dhe rrezikon zonën Champions

Chelsea pëson humbjen e tretë radhazi (2 në kampionat dhe 1 në Champions League) nën drejtimin e Frank Lampard.

“Blutë e Londrës” vuajnë edhe nën drejtimin e “timonierit” të ri teksa u mposhtën në Stamford Bridge nga Brighton me shifrat 1-2. E para herë në histori që Brighton fiton një sfidë në stadiumin Stamford Bridge.

Në fakt, u duk se do të ishte ndeshja e duhur që Chelsea të niste kthesën teksa vendasit kaluan në avantazh me anë të Gallagher në minutën e 13-të. Kur u duk se Brighton do të vuante, nisur edhe nga dy zëvendësime të detyruara si pasojë e dëmtimeve, të besuarit e trajnerit Roberto De Zerbi gjetën forcën për të reaguar. Ishte Danny Welbeck ai që riktheu baraspeshën i cili shënoi me kokë, në të 42-tën kur kishte vetëm tre minuta në fushë.

Në fraksionin e dytë, Brighton kishte një “marsh” më shumë dhe ishte më aktive drejt gjysmëfushës kundërshtare. Falë presingut të vazhdueshëm erdhi edhe goli i avantazhit me Encison që realizoi një supergol nga distanca në të 70-tën. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe miqtë dolën me tre pikë duke u ngjitur në kuotën e 49 pikëve në vend të shtatë, duke u afruar me zonën europiane. Nga ana tjetër, Chelsea mbetet në vend të 11-të me 39 pikë.

Ndërkohë, Tottenham u mposht në mënyrë surprizë nga Bournemouth me shifrat 2-3. Edhe pse kaluan të parët në avantazh me anë të Heung-Min Son, miqtë gjetën forcat për të përmbysur. Gjithsesi, në të 88-tën, Spursa-at barazuan me anë të Danjumës dhe kërkuan më pas golin e fitores. Por, ishte Bournemouth që shënoi në minutën e 95-të Ouattaro duke hedhur poshtë të gjitha parashikimet.

Pas kësaj ndeshje, Tottenham rrezikon seriozisht zonën Champions teksa renditet në vend e pestë me 53 pikë, ndërsa nga ana tjetër, Bournemouth ngjitet në kuotën e 33 pikëve në vend të 14-të.

Në ndeshjet e tjera të Premier League, Everton u mposht 1-3 në shtëpi nga Fulham duke mbetur në rrezikun e zonës së ftohtë, ndërsa Wolverhampton fitoi 2-0 në shtëpi ndaj Brentford, teksa Crystal Palace mposhti 2-0 në transfertë Southampton.