Sport Erblira Bici, kampione në Serie A2

Erblira Bici, kampione në Serie A2

Erblira Bici

Volejbollistja shqiptare është shënuesja më e mirë e Roma Volley

Roma Volley Club u shpall kampione në Serie A2 për femra pas një sezoni të shkëlqyer ku pati vetëm një humbje.

Skuadra ku luan edhe kapitenia e Kombëtares, Erblira Bici ngriti trofeun mbrëmjen e së dielës pas fitores 3-2 me Trentino Volley. Sipas Bicit kjo u arrit falë forcës së grupit.

“Ka qenë një vit i bukur për mua dhe për ekipin, për atë që kemi bërë nga fillimi e deri sot. Serie A1 është më e vështirë, por ne kemi treguar se nuk vlejnë vetëm emrat e mëdhenj, por forca e grupit”.

Erblira Bici në 26 ndeshje realizoi 385 pikë, më e mira për ekipin e saj. Roma Volley Club këtë sezon fitoi edhe Kupën e Italisë në Serie A2, ndërsa siguroi më herët ngjitjen në ligën elitare në të volejbollit italian.

Erblira Bici luan në Itali prej vitit 2016 dhe në sezonin 2018-2019 fitoi Kupën e Italisë në Serie A1 dhe Champions League me Novara.