Politika “Nuk ka as dashuri, as armiqësi të përjetshme”, shefja e ODIHR takon...

“Nuk ka as dashuri, as armiqësi të përjetshme”, shefja e ODIHR takon përfaqësuesit e opozitës

Shefja e misionit të ODIHR, Audrey Glover, po zhvillon sot takime me përfaqësues të opozitës. Glover ishte fillimisht në zyrën e Partisë së Lirisë, atje ku u prit nga kreu i kësaj force politike, Ilir Meta.

Takimet vijuan më pas në selinë e PD-së me Sali Berishën dhe Oerd Bylykbashin. Nesër, takimet Glover pritet t’i vijojë edhe me Enkelejd Alibeajn

Në nisje të punës së saj e pyetur, lidhur me marrëdhënien që do të ketë me Sali Berishën, Glover u shpreh se është e hapur të takojë këdo që merr pjesë në procesin zgjedhor.

Ndërkohë, Berisha, referuar përplasjeve që kishte pasur 27 vite më parë me drejtuesen e ODIHR tha se: “Nuk ka as dashuri, as armiqësi të përjetshme”.

Madje sipas tij, shefja e misionit të vëzhguesve, Audrey Glover, në zgjedhjet e fundit ka bërë një raport profesional.

Nesër, takimet Glover pritet t’i vijojë edhe me Alibeajn. Në mesazhin  e saj të pak ditëve më parë Glover tha se OSBE/ODIHR nuk është policia e zgjedhjeve dhe nuk vjen me një plan paraprak, por pret një proces brenda standardeve demokratike.

REAGIMI I KRYETARIT TË PL, ILIR META PAS TAKIMIT ME AMBASADOREN GLOVER

“Sot prita në një takim shefen e misionit të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit, Ambasadoren znj. Audrey Glover. Diskutuam gjerësisht shqetësimet e shumta që lidhen me realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për pushtetin lokal më 14 maj.

Ndava me znj. Glover shqetësimin lidhur me listat e zgjedhësve dhe qëndrimet e Ministrisë së Brendshme dhe KQZ-së, të cilat kanë krijuar problematika lidhur me ndryshimin e qëllimshëm të tyre për të krijuar paqartësi te zgjedhësit, duke shkelur ligjin dhe praktikën e konsoliduar 20-vjeçare për to.

Gjithashtu, ndava me të shqetësimin për shpërdorimin flagrant të fondeve financiare publike, përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet, duke dhunuar Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër.

Nënvizova qëndrimin e njëanshëm të KQZ-së, e cila me vendimet dhe qëndrimet e saj nuk po kontribuon për mbajtjen e zgjedhjeve me standarde, por përkundrazi po dëmton standardet dhe po krijon tensione dhe konflikte të panevojshme që kanë ndikim në ecurinë para dhe pas zgjedhore.

Vura në dukje edhe shqetësimin për mosndëshkimin e veprimtarive të paligjshme të qeverisë dhe mosmarrjen parasysh edhe të mjaft shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile.

Gjithashtu, ndava me znj. Glover edhe problemin e kapjes së medias nga qeveria, gjë që është në kundërshtim me interesin e zgjedhësve, të cilët janë shumë të interesuar dhe duan të njihen gjerësisht me kandidatët dhe programet e tyre për të bërë zgjedhjen e duhur ditën e votimit.

I shpreha Ambasadores Glover gatishmërinë e plotë të opozitës për të kontribuar për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe për realizimin e standardeve sa më të larta në zgjedhje”.