Ky është momenti i ekzekutimit me armë të biznesmenit Ardian Nikulaj. 50-vjeçari u vra në lokalin e tij në Shëngjin të Lezhës paraditen e së mërkurës.
Vrasësi, me kokore në kokë, me maskë antikovid dhe i veshur me jelekfosforeshent, hyn në lokal dhe afrohet tek tavolina ku ishte ulur i vetëm Ardian Nikulaj.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, duket se vrasësi fillimisht shkëmben fjalë me një person që ndodhet aty në këmbë.
Më pas nxjerr pistoletën dhe hap zjarr ndaj biznesmenit.
Shtatë herë ka qëlluar vrasësi ndaj Ardian Nikulajt. Autori iu afrua duke e qëlluar dhe nga një distancë e afërt për t’u siguruar që i ndjeri kishte ndërruar jetë.
Më pas u arratis me një motor të tipit skuter.
Autori ka përshkuar me motor plot 18 kilometra, duke ju shmangur pa u vënë re dhe një pike kontrolli policore që ndodhej në hyrje të Lezhës.
Pikërisht në fshatin Kakariq, nuk përftohen më pamje të kamerave të sigurisë, duke e bërë të pamundur zbulimin e mëtejshëm të itinerarit përfundimtar të vrasësit.
Për pistat e hetimit, policia vijon të mbetet e dyzuar, kjo edhe për shkak se viktima kishte një aktivitet të gjerë në biznes, politikë dhe gjakmarrje të vjetër.