Banakieri i lokalit ku u vra biznesmeni Ardian Nikulaj dhe një mik i viktimës, panë gjithçka nga ekzekutimi me 7 plumba që ndodhi në pak sekonda.
Miku i Nikulajt është fare pranë viktimës dhe vrasësit, i cili në një moment i drejton edhe armën, teksa largohet me shpejtësi për nga dera.
Ai ka qenë ndër të parët që është marrë në pyetje nga policia. Në dëshminë e siguruar nga Tv Klan, personi i identifikuar si Dëshmitari X, veç dinamikës, tregon disa karakteristika të fizionomisë së vrasësit.
“Isha te dera edhe isha me fytyrë nga lokali nga Ardiani, kur më erdhi nga mbrapa nga ana e djathtë e imja, një burrë i gjatë. Ai më tha veç “largohu” dhe hyri brenda në lokal dhe shkoi në drejtim të Ardianit dhe qëlloi ndaj tij. Autori ishte i gjatë, trup i mbushur, kishte një zë të trashë, por theksin nuk e mbaj mend”.
Edhe banakieri i lokalit, që ishte në pronësi të viktimës, ka dhënë disa detaje mbi autorin, që mund t’i shërbejnë hetimit. Ai thotë se nga përshëndetja që bëri vrasësi, kishte kuptuar që ai fliste me dialekt nga Veriu, ose nga Shqipëria e Mesme.
“Rreth orës 12:30-13:00, unë kam qenë në banak, dhe i ulur në tavolinën përballë ka qenë pronari Ardiani, i vetëm. Në këtë kohë ka hyrë në lokal një person mashkull, i cili ishte trup i gjatë rreth 190 cm, i shëndetshëm, i cili mbante veshur një veshje të trashë dhe një jelek pune jeshil sipër rrobave, ndërsa në kokë kishte skafandër dhe dorën e kishte në çantë, me rrip të lidhur në trup. Pasi është afruar afër banakut na ka përshëndetur duke na thënë “si e kalut” dhe është afruar tek tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi ka nxjerrë armën nga çanta ka filluar të qëllojë. Nuk kam arritur ta fiksoj fytyrën e tij, pasi ndodhi gjithçka shumë shpejt. Gjithashtu nuk jam në gjendje të them se nga cila zonë mund të ketë qenë, por mendoj se nga Veriu ose Shqipëria e mesme, pasi nuk m’u duk dialekt jugor”.
Në dosjen hetimore, thuhet gjithashtu se në kuadër të hetimeve janë pyetur dy persona, babë e bir, me të cilët viktima ka pasur një konflikt 3 vite më parë me Nikulajn.
Që të dy kanë mohuar që të kenë lidhje me vrasjen, ndonëse babai ka pranuar se biznesmeni 50-vjeçar i kishte rrahur të birin, ndërsa i biri e ka hedhur poshtë këtë pretendim.
Grupi hetimor po ndjek disa pista, kryesisht atë të konflikteve të mëparshme të viktimës.