Gjykata e Posaçme dënon me 11 vjet burg Artur Ballën dhe 10 vite burg Bledar Lilon, përkatësisht kunatin dhe shoferin e Rezart Tacit.
Ata akuzohen për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Në të njëjtin vendim u pranua kërkesa e SPAK për konfiskimin e 18.3 milion eurove, shuma e sekuestruar gjatë hetimit, që dyshohet se do të pastrohej.
Në seancën e kaluar gjyqësore, Prokuroria e Posaçme në diskutimin përfundimtar kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Balla për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 13 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Artur Balla me 8 vjet e 8 muaj burgim.
Po ashtu kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Lilo për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Bledar Lilo me 8 vjet burgim.
Gjithashtu, është kërkuar konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i shumës monetare prej 18.399.941.50 (tetëmbëdhjetë milionë e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën Alpha, Tiranë, të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme.
Çështja penale në ngarkim të të pandehurit Rezart Taçi është ndarë gjatë fazës së seancës paraprake dhe do të gjykohet si çështje penale më vete, për shkak se ky i pandehur është në mungesë dhe duhet të kryhen procedurat e nevojshme të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për të pandehurit që gjykohen në mungesë.
Referuar hetimit shqiptaro-italian, në qershor të vitit 2021, sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo dhe kontabilisti Fabio Petruzzella kanë mbërritur në Shqipëri, ku janë pritur nga Balla e Lilo, kontakte të afërta të Taçit.
Në ditët në vijim u hapën disa llogari bankare në Shqipëri, ndërsa në një bankë të nivelit të dytë u transferuan 18,3 milionë euro në një llogari të vetme. Biznesmeni Taçi ndërkohë ndodhej jashtë vendit, por ai ka angazhuar dy të besuarit e tij Balla e Lilo të kryenin disa transaksione kundrejt kësaj shume drejt Hong Kongut e Singaporit.
Procesi është ndërprerë, pasi shuma e parave u sekuestrua nga SPAK para se të copëzohej, ndërsa përgjimet e bisedave të të dyshuarve ekspozuan shqetësimin e tyre. Sipas SPAK, përfshirja e Taçit e të besuarve të tij në skemë është bërë kundrejt premtimit për marrjen e një përqindjeje të caktuar të fitimit.