“Unë jam vajza e xhaxhait të Edmond Haxhisë”. Kështu e nisi rrëfimin për emisionin “Drejt” juristja Nertila Haxhia, e afërmja e të dyshuarit si financues dhe porositës i vrasjes së Ardian Nikulajt në Shëngjin.
“Për shkak të dyshimeve që kishin për pistën e parë të gjakmarrjes policia e shtetit duke qëndruar konform gjithë procesit të hetimit, por paralelisht duke ndjekur dhe mediat edhe pse duke ditur të vërtetat e lidhjeve tona të afërta miqësore nuk është se unë me mediat merresha shumë. Kam parë edhe që Edmond Haxhia ka ikur 7 vjeç në Britani. Edmond Haxhia ka ikur paraadoleshent në Britani. Kam parë dhe që Edmond Haxhia është financues i vrasjes, porositës. U përmend grup i strukturuar kriminal, janë vepra penale. Kush nga Policia e Shtetit i jep të dhëna gazetarisë të nxjerrë emrat kur procesi i hetimit vazhdon? Kam qenë brenda komisariatit të Lezhës ndërkohë që vazhdonte hetimi i fokusuar te gjakmarrja. Është kontrolluar dhe banesa dhe trojet e babait tim”, tha ajo për “Drejt” në Ora News.
Fisi Haxhiaj, tha ajo, nuk ka asgjë përveçse ngushëllime për familjen Nikulaj, ndërsa fisi Lekstakaj e jep përgjigjen vetë.
“Edmond Haxhia është djali i dajës i vetëm njërit prej Lekstakajve. Në fillim fisi Palaj dhe pastaj fisi Lekstakaj u ekspozua nga kërkimi i drejtësisë. Jam një njeri që kam pasur në dorë dosjen dhe dokumentat që shteti britanik të mos i kthente në Shqipëri për arsye se ishin në gjakmarrje të konfirmuar, letërpërcjelljet i kam pasur unë në dorë. I kanë shkruajtur gjithë politikës. Në dosje kërkohej vetëm të vazhdonte hetimi. Kanë pretendimet e tyre”.
Juristja Haxhia tha më tej se e penduara e drejtësisë që zbërtheu grupin e atentatit do të duhet të ishte në burg pasi kështu sipas saj do të ishte më e sigurt.
“Ka një të penduar të drejtësisë që duhet ta mbroj unë. Nëse gjërat janë si ka thënë ajo për mua duhet të ishte urgjent e burgosur. Më e mbrojtur do të ishte në burg. Kanë dalë informacione nga policie se kush është ajo. E dinë shumë njerëz. Policia e Lezhës duhet të kujdesej për çdo procedurë”.
Ajo tha se Edmond Haxhinë e ka takuar një ditë pas vrasjes së Nikulajt.
“E kam takuar sepse muajt e fundit ka pasur një gëzim familjar. Herën e fundit e kam takuar një ditë pas vrasjes, në drekë. Nuk kam vënë re asgjë. E mora vesh se ka ikur në darkë për Britani Nuk kam komunikuar më me të se nuk kam komunikim të vazhdueshëm me të”.
Ajo mohon faktin se Edmondi është një biznesmen.
“Nuk ka lidhje me biznesin dhe financimin e një grupi të strukturuar kriminal. E dimë potencialin ekonomik që ka Edmond Haxhia”.