Gjashtë persona janë shoqëruar në Policinë e Tiranës për t’u marrë në pyetje në lidhje me vdekjen e kenianes Joy Ayoko, ndërsa janë kryer disa kontrolle banesash.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se në mesin e të shoqëruarve është edhe shoferi i kazinosë, Rodin Barçi.
Nga burime paraprake, mësohet se telefoni i shtetases keniane është zbërthyer, duke ndihmuar hetuesit në zbardhjen e ngjarjes.
Ayoko, 22-vjeç, u gjet në gusht të vitit 2022 e dhunuar. Nga keqtrajtimi ajo ra në koma për 6 muaj. Në shkurt të këtij viti, për shkak të komplikacioneve ndërroi jetë në Kenia. Për shkak të gjendje së rëndë ajo nuk u mor dot në pyetje nga grupi hetimor.
Barçi, 32 vjeç, është marrë edhe herë të tjera në pyetje nga policia. Ai është një nga kontaktet e fundit që keniania ka patur mbrëmjen kur ndodhi ngjarja.
Hetimet kanë treguar se 32-vjeçari e ka lënë atë në hostelin ku strehoheshin ajo dhe disa vajza të tjera me nënshtetësi të huaj që punonin në një kazino në Tiranë.
Në deklarimet e tij pas ngjarjes, shoferi ka mohuar të ketë pasur konflikte mes tij dhe 22-vjeçares. Në pyetje janë marrë edhe shoqet e viktimës. Ka qenë njëra prej tyre që ka gjetur trupin e shoqes së saj pranë banesës.