Kryedemokrati Sali Berisha ishte në Librazhd ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shefki Çota. Për këtë të fundit tha se është kandidat i qytetarëve pasi është zgjedhur nga ta për të kandiduar më 14 Maj. Ndryshe foli për kundërshtarin e tij, për të cilin tha se ka ardhur nga “nga xhepat e Taulantit, vjen nga skutat e Edi Ramës”.
“Le të më thotë një i majtë nga Librazhdi, që është pyetur apo ka dhënë votën apo mendim që kushoja të kandidojë për kryetar bashkie. Asnjë, as këtu dhe askund në Shqipëri. Ata dolën nga bodrume mafioze dhe ju e patë vetë se çfarë përfaqësojnë”, tha Berisha.
Ai e mbylli fjalimin e tij duke u shprehur: “Duke pasur si trashëgimi vjedhjen e tmerrshme të qytetarëve, dëbimin e 1 milion shqiptarëve në tetë vite, duke pasur si trashëgimi arrestimin e 38 mijë shqiptarëve për një vit, ai nuk del dot përpara jush.
I bëri premtimet, ju kujtohet. Ujë 24 orë dhe legalizime brenda mandatit. Ja ku është uji, ja ku janë legalizimet. Vetëm mashtrime. Tani përpiqet që të gjithë kërkesën e llogarisë që çdo njeri ia bën atij, ta bllokojë me banalitet, me vulgaritet. Ndaj ne ta lëmë atë me atë në gojë dhe të votojmë për veten tonë, të votojmë për Shefki Çotën”.