Për të festuar pjesëmarrjen në finale, dje, Efi, Luizi, Dea dhe Kristi festuan dhe ndër të tjera, Efi u deh, i tregoi Luizit se sa shumë e do dhe se nuk i vjen aspak keq nëse fiton ai dhe sigurisht, vërshuan komente të tipit “i dehuri thotë gjithnjë të vërtetën”.
Por, sa e vërtetë është kjo shprehje?
Së pari, duhet të themi se konsumimi i alkoolit, i tepruar ose jo, ka efekte biokimike dhe psikologjike në funksionimin e trurit. Sipas Gary Malone, psikiatër i varësisë në universitetin “Baylor”: “Sa më i lartë të jetë niveli i alkoolit në gjak, aq më primitive dhe armiqësore do të jetë përgjigjja e personit të dehur”.
Pra, pa diskutim, alkooli mund të ndryshojë mënyrën se si mendojmë, ndihemi dhe sillemi. Për më tepër, zgjeron lirinë e komunikimit, kapërcen mekanizmat mbrojtës që i vendosim vetes kur jemi esëll dhe në momentin kur ka bërë efektin e vet, na dhuron ndjesinë e lumturisë dhe euforisë. Por, edhe pse ka këtë ndikim, nuk do të thotë se alkooli nxjerr në pah personin e vërtetë brenda nesh.
Në të vërtetë, alkooli mund të çlirojë një pjesë që e mbajmë fshehurazi brenda vetes, për arsye të ndryshme, ama nuk mund të themi se nxjerr në pah të gjitha të vërtetat. Sjellja nën efektin e alkoolit, nuk zbulon natyrën e vërtetë të personit që e konsumon alkoolin, madje në shumë raste, e shtyn të shfaqë mendime dhe ndjesi jo dominuese, nga të cilat përpiqet të shkëputet. Kjo mund të provohet në sajë të impulseve dhe sjelljeve të pahijshme, ndonjëherë edhe kriminale që individë të ndryshëm mund të bëjnë nën efektin e alkoolit.
Sipas Allen Lobo, studiues në Institutin Indian të Shkencës: “Të paktë janë personat të cilët përjetojnë ndjesi të pandryshuara nga ky efekt”. Ai merr shembull një person introvert, i cili kur pi, vepron shumë ndryshe nga karakteri i tij, pasi mund të bëhet shumë social. Kështu, veprimi i personit introvert është totalisht jashtë natyrës së tij, madje përqafon një karakter të ri.
Në mbështetje të mendimeve të mësipërme, edhe Joshua Gowin, ekspert në Institutin Kombëtar për Abuzimin me Alkoolin, kur u pyet: “Përse disa njerëz, kur pinë bëhen të sikletshëm, disa të dashur dhe disa kanë sjellje të pahijshme?”, u përgjigj: “Mënyra se si individë të ndryshëm reagojnë ndaj faktorëve të jashtëm kur janë të dehur, është një formë e ekzagjëruar, pasi kanë humbur një pjesë të madhe të kontrollit, vetëdijes dhe impulsit”.
Si përfundim:
– Personat që janë nën efektin e alkoolit mund të veprojnë ndryshe nga zakonisht, por kjo nuk do të thotë se po shfaqin veten e tyre të vërtetë.
– Alkooli bën që njerëzit të sfidojnë mekanizmat mbrojtës dhe të mos frenohen, ndaj në disa raste sillen në mënyrë impulsive.
– Alkooli i shtyn njerëzit të sillen sipas mendimeve dhe ndjenjave, të cilat zakonisht mundohen t’i fshehin, apo të shkëputen prej tyre./Anabel.al