Të shtunën ish-kryeprokurori Adriatik Llalla i dorëzoi Presidentit kërkesën për t’u tërhequr nga e drejta e emërimit në Gjykatën e Apelit.
Njëherësh, ai iu drejtua organeve të vettingut me kërkesën për të mos iu nënshtruar këtij procesi.
“News 24” pyeti ambasadorin amerikan Donald Lu për këtë veprim të ish-prokurorit, të cilin më herë diplomati amerikan e pati cilësuar si “kryeprokurori që kishte frikë të hetonte politikanët e korruptuar”.
Duke e konsideruar këtë si një akt individual, Ambasadori Lu thotë se spastrimi i drejtësisë nga të korruptuarit, është një arritje, ndërsa theksoi se “ata që kanë frikë nga vetting-u, duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penal”.
Deklarata e Lu:
“Vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar e të paaftë, është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet.
Tërheqja nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre.
Ata që kanë frikë nga vetting-u, duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”.