Sali Berisha ka zhvilluar një takim me banorët e Vaut të Dejës në kuadër të fushatës elektorale, ku kërkoi votat për Zef Hilën, kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Në fjalën e tij, Berisha tha se në të gjitha qytetet ku ka shkuar sheh fitoren në zgjedhjet e 14 Majit.
Qeverinë Rama e akuzoi për lidhje me bandat kriminale dhe u shpreh se diktatura e bandave është forma më e keqe.
“Me programin që paraqiti Zef Hila, tregoi se i njeh të gjitha hallet dhe problemet e banorëve të kësaj bashkie. Por Zef Hila ka gati edhe projektet, zgjidhjet për këto probleme, dhe do ti bëjë realitet.
Me 14 maj, ne shkojmë të sigurtë drejt një fitore historike. Kudo që shkoj, nga jugu në veri, flladi i fitores po fryn në mbarë vendin. Drita e saj, po ndriçon mendjet e qytetarëve shqiptarë. Kudo qytetarë idealist janë të angazhuar në një fushatë elektorale të pashembullt që nga viti 1990 e deri më sot.
Hajmeli dhe Vau i Dejës dhe në tërësi, që i njeh më mirë se kushdo tjetër se çdo të thotë pushtet në duart e një njeriu. Pushtet në duart e një njeriu është faktuar në histori, dhe më shumë se tek kushdo tjetër në kurrizin e shqiptarëve, të haljmelasve si forma më e egër, çnjerëzore e pushtetit.
Pushteti i një njeriu ekziston në diktaturat komuniste, që bazohen në ideologjitë njerëzore marksiste-leliniste dhe ne e përjetuam atë. Bazohen në diktaturat ushtarake, ku junta kolonelësh apo ushtarakësh marrin pushtetin dhe me ligje ushtarake ushtrojnë pushtetin e tyre mbi qytetarët.
Por do ju them sonte këtu, se mes të gjitha formave të diktaturave, studiuesit, historianët e mëdhenj, formën më të keqe, më të egër konsiderojnë diktaturën e bandave, banditit. Dhe kjo diktaturë është sot realitet në Shqipëri”, deklaroi Berisha.