Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim elektoral në Shkodër, së bashku me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë,” për Bashkinë Shkodër, Bardh Spahia.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha i ka bërë thirrje kandidatit të PS-së për Bashkinë Shkodër, Benet Becit që të përballet në debat me kandidatin e “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahinë.
Mes të tjerash, kryetari i PD-së Berisha ka sulmuar kandidatin socialist duke thënë se “ka bërë gabimin më të madh” lidhur me kandidimin e tij për Bashkinë Shkodër.
“Shkodra është një qytet me potenciale më të jashtëzakonshme se çdo territor tjetër i trojeve shqiptare. E vendosur mes detit dhe alpeve, e vendosur mes një kompleks eko-ujor, mrekulli e vërtetë natyrore.
Shkodra qyteti i qytetarëve fisnikë, i grave dhe burrave që gabuan historikisht më pak se të gjithë shqiptarët. Që kanë një raport me Zotin, me vlerat, me të vërtetën, më të drejtin që mund dhe duhet të ketë njeriu i civilizuar. Në këtë mision do të njohë, do të kapë zhvillime të madh dhe të rëndësishme. Me programin e tij, Bardh Spahia bazuar në parimet më themelore dhe idealet e qytetarëve të Shkodrës, do të shndërrojë Shkodrën në qytetin lider të zhvillimit të harmonishëm, të prosperitetit, të reputacionit më të madh në rajon, Europë dhe kudo.
Karshi Bardh Spahisë kandidon përfaqësuesi i Edi Ramës. E meriton këtë që po bëni ju, megjithatë kjo është njëra anë, ana tjetër është ftesa ime; Benet hajde këtu bashkë me Bardh Spahinë, dilni para qytetarëve dhe jepni, jepni llogari për çdo gjë. Përgjigjuni të gjitha pyetjeve të qytetarëve të Shkodrës dhe me këtë ti dëshmon se ke ndjenjën e përgjegjësive, përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Shkodrës. Me këtë ti shlyen deri diku një detyrim sepse dy vjet në atë parlament nuk e shqipërove njëherë fjalën Shkodër dhe shkodran. Benet vetëm për këtë kam bindjen se gjysma e Becëve nuk do të votojnë ty.
Kandidimi yt për Edi Ramën, njeriun që ka përqendruar pushtetet në duart e tij është gabimi fatal i jetës tënde. Shpirti yt e di se çfarë të detyroi ty të bësh këtë gabim fatal. Di diçka edhe Tom Doshi për këtë detyrim. Nga do të dalësh ti? Benet, edhe njëherë të them se ke bërë gabimin e jetës tënde. Të pashë një ditë këtu në shesh dhe kishe vendosur një ngjyrë tjetër.
Naiv je treguar, por nënat shqiptare përrallën e parë që ju tregojnë shqiptarëve janë këmbët e ujkut të lyer me miell. Ti nuk del dhe për një arsye tjetër që në këtë shesh. Ty nuk të lë Edi Rama sepse ai nuk del dot me Sali Berishën në ballë. E ftoj në çdo takim, ikën, ikën, po si mund të vijë aty që me firmën”, tha Berisha.