Politika Rama vlerëson Ballukun në qarkun e Dibrës: ‘Burri’ më i fortë që...

Rama vlerëson Ballukun në qarkun e Dibrës: ‘Burri’ më i fortë që kemi në qeveri

“‘Burri’ më i fortë që kemi në qeveri”. Ky ishte vlerësimi që Edi Rama kishte për Belinda Ballukun, gjatë një takimi me banorët e Klosit, ku kreu i socialistëve u ndal sot në vijim të turit të tij elektoral. Kreu i PS tha Balluku, që prej delegimit të saj në këtë qark ka qenë pranë banorëve në çdo moment.

Rama tha se prezenca e saj në këtë është një avantazh i madh për këtë zonë dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj, e cila sot, falë Rrugës së Arbrit është gjithmonë e më afër kryeqytetit.

“Ky qark ka dhe një avantazh tjetër që ka Belindën këtu. Është ‘burri’ më i fortë që kemi në qeveri, përveçse është edhe grua, dhe nënë, dhe shoqe, është ‘kokëderre’ e madhe si person dhe e keni parë që sa shumë rri këtu me ju, jo tani, por qysh kur ka ardh e deleguar. Sa herë që ndodh që e kërkoj thotë jam në Dibër, jam në Dibër dhe realisht kemi vendosmërinë bashkë me Belindën, bashkë me gjithë të tjerët që ti japim një shtysë shumë të fortë këtij qarku”, u shpreh Rama.

Vlerësimin për numrin dy të qeverisë, Rama i përsëriti edhe gjatë vizitës në një prej fasonerive në Bulqizë, gjatë bisedës me administratorët e këtij biznesi, por edhe para qytetarëve të Bulqizës.

Kreu i PS ishte sot në Mat, Klos e Bulqizë, ku kërkoi besimin e qytetarëve për kandidatët e propozuar nga selia rozë.