Autori i dyshuar i vrasjes së Petrit Vuksanit, Lekë Vuksani pas arrestimit ka pranuar krimin, ndërsa para bluve të Shkodrës tha se konflikti kishte nisur për shkak të qirasë së banesës dhe tha se armën e përdorur e ka marrë në banesën e viktimës.
“Me Petritin jemi njohur sepse edhe ai është nga Dukagjini. I kam marrë shtëpinë me qira duke qenë se ndodhej në Angli. Muajt e fundit kemi patur disa debate për qiranë e shtëpisë, por edhe për pagesat e ujit dhe të energjisë elektrike. Atë ditë kur ndodhi vrasja Petriti erdhi dhe më nxori nga shtëpia. Unë u ktheva dhe e gjeta vetëm. Aty kemi debatuar dhe në debat e sipër gjeta një automatik që nuk është i imi, por i Petritit. Në debat e sipër kam marrë armën dhe e kam qëlluar”, ka thënë ai.
Vëllai i autorit i marrë pyetje nga policia tha se kishte miqësi të hershme me vëllanë e Petritit, por dhe me vetë të ndjerin dhe theksoi se nuk kishte asnjë dijeni për vrasjen.
“Unë e kam njohur Petritin, por edhe vëllain e Petritit e njoh dhe e kam shumë shok. Unë nuk kam qenë aspak në dijeni për vrasjen që do të kryente vëllai im sepse po ta kisha ditur do bëjë maksimumin për ta parandaluar. Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur sepse kisha miqësi me familjen e viktimës”- tha ai.
Në pyetje nga policia është barrë dhe 34 vjeçarja në banesën e së cilës qëndroi për 21 orë në arrati Lekë Vuksani. Gruaja tha se Leka erdhi i armatosur në banesën e saj dhe i tha të kos ketë frikë.
“Leka erdhi në banesën time dhe u fut brenda pasi më kërkoi t’i hapja derën. Kur u fut shoh që kishte armën në dorë dhe nuk dija si të veproja. Leka më tha se nuk do të bëj asgjë ndaj mos u tremb, kam ardhur vetëm për të qëndruar këtu. Nuk e dija se çfarë të bëja sepse ishte errësirë. Më tha që të mos tregoj se ndodhej aty deri sa erdhi policia dhe e arrestoi. Pavarësisht se më tha që të mos kem frikë, isha e frikësuar edhe pse gjatë kohës që qëndroi bëri një sjellje normale”,- shprehet ajo.
Pavarësisht dëshmisë së autorit, policia ka prova të mjaftueshme që autori i krimit Lekë Vuksani nuk e ka marrë armën e krimit në banesën e viktimës por ka ardhur i armatosur në vendngjarje.