Bota Vuçiç propozon reforma pas masakrës që tronditi vendin: Përgjegjësi penale që 12...

Vuçiç propozon reforma pas masakrës që tronditi vendin: Përgjegjësi penale që 12 vjeç

Serbia është ende në gjendje shoku, pas masakrës së ndodhur të mërkurën në një shkollë fillore të Beogradit, ku një 14-vjeçar hapi zjarr dhe vrau 8 bashkëmoshatarë dhe një roje sigurie.

Autoritetet shëndetësore bënë me dije se 5 nga personat e lënduar janë në gjendje të qëndrueshme, por dy fëmijë thuhet të jenë ne gjendje kritike.

Autori i dyshuar i ngjarjes, i vënë në pranga nga policia përdori dy pistoletat e blera në mënyrë të ligjshme të të atit për sulmin e planifikuar. Sipas policisë ai kishte hartuar një listë me shënjestrat e tij në shkollën ku studionte edhe vetë

Bashkë me të janë arrestuar edhe dy prindërit e tij. Siç thuhet, adoleshenti kishte shkuar disa herë me babain e tij, për t’u ushtruar për qitje në largësi.

Në një fjalim televiziv për kombin mbrëmjen e së mërkurës, presidenti Vuçiç tha se 14-vjeçari, i cili sipas ligjit serb nuk mund të mbajë përgjegjësi penale, do të dërgohet në një klinikë psikiatrike. Ai e cilësoi sulmin si ditën më të vështirë në kohët moderne të vendit.

“Serbia është e bashkuara në këtë dhimbje, që është më e madhe se çdo dhimbje tjetër që mbajmë mend. Është përgjegjësia jonë të gjejmë shkaqet, në mënyrë që diçka e ngjashme të mos ndodhë kurrë më”, tha presidenti.

Vuçiç sugjeroi që mosha e përgjegjësisë penale të ulet në 12 vjeç pas sulmit të së mërkurës dhe propozoi gjithashtu një sërë reformash të tjera, përfshirë kontroll i licencave të armëve të zjarrit dhe shtrëngim i rregullave se kush mund të lejohet në ushtrime qitjeje.

Shumica e viktimave ishin vajza dhe kishin lindur në vitin 2009, çka do të thotë se ishin të moshës 13 ose 14 vjeç.