Një barazim mjaftoi që Napoli të shpallej kampion i Italisë për herë të tretë në histori. Por ajo që e bën më të veçantë këtë histori është se trofeun lart e ngre edhe mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani.
Historia e tij është e paimagjinueshme dhe pak vetë mund ta mendonin se ai do të shpallej kampion i Italisë. Gjithçka nis nga Kosova në vitin 2010. Rrahmani luante futboll me të rinjtë e Drenicës në qytetin e Skënderajt në Kosovë.
Pasi kaloi me skuadrën e parë të Drenicës, u ble nga Partizani në Shqipëri. Nga këtu duket se mbrojtësi nisi ngjitjen.
Fillimisht preku Kroacinë. Nga RNK Split, më pas tek Dinamo e Zagrebit dhe në fund Lokomotiva e Zagrebit. Rrahmani i provoi të gjitha skuadrat kryesore të Kroacisë dhe këtu mori konfirmimin.
Ishte gati për Italinë! Në vitin 2019 e bleu Verona për 2 milionë Euro. Më 18 Gusht të atij viti 28-vjeçari debutoi për Kupën e Italisë kundër Cremonese-s.
Gjashtë muaj më vonë, kartonin e mbrojtësit të Kosovës e blen Napoli. 14 milionë Euro paguan ata për shërbimet e tij. Por napoletanët kishin vendosur që ta linin sërish tek Verona. Dhe ashtu ndodhi. Rrahmani e mbylli sezonin 2019/2020 me Veronën në huazim.
Në Gusht të vitit 2020, Rrahmani iu bashkua Napolit zyrtarisht. Ai e bëri debutimin e tij më 3 Janar 2021 në fitoren kundër Cagliari-t.
Rrahmani ka vijuar me paraqitjet e mira dhe këtë sezon ka qenë pothuajse titullar në të gjitha sfidat. Në Serie A ai numëron 25 ndeshje, ndërsa në Champions League 7 për këtë sezon.
Amir Rrahmani është përfaqësues i kombëtares së Kosovës me të cilët ka 48 paraqitje dhe ka shënuar 6 gola.