Në Boston të SHBA-së është kryer operacion në tru në një foshnje në barkun e nënës. Sipas CNN, një grup mjekësh në spitalin e fëmijëve në Boston kanë kryer me sukses operacionin në tru në një foshnjë që ndodhej ende në barkun e nënës, hera e parë që kryhet një operacion i tillë në histori.
Mjekët përcaktuan sëmundjen e rrallë të emërtuar “keqformimi i venave të Galenit” që kur foshnja ishte 30-javëshe.
Operacioni i publikuar në revistën shkencore “Stroke” të SHBA-së, u krye me mënyrën e zbulimit të arteries duke përdorur ultratinguj.
Mjekët përdorën ultratinguj për të drejtuar një gjilpërë të gjatë përmes barkut të nënës në pjesën e trurit të foshnjës që ishte prekur. Më pas mjekët injektuan një substancë brenda venës me qëllimin për të penguar kthimin prapa të rrjedhës në vena.
Me kryerjen e operacionit në mënyrë të suksesshme, mjekët shpëtuan foshnjën e palindur ende nga shfaqja e sëmundjeve serioze si çrregullimet neurologjike dhe pamjaftueshmëria e zemrës që do të shkaktonin vdekjen pas lindjes.
Doktor Darren Orbach, nga spitali i fëmijëve në Boston, tha se në rast të mostrajtimit të sëmundjes tek foshnja, pas lindjes mund të shkaktoheshin probleme të rëndësishme si dëme në tru dhe pamjaftueshmëria e zemrës.
Menjëherë pas lindjes tek 50 deri në 60 për qind e të gjitha foshnjave që kanë këtë sëmundje janë shfaqur shqetësime serioze, tha Orbach, duke shtuar se sëmundja ka një normë vdekshmërie rreth 40 për qind. Ndërkaq, rreth gjysma e foshnjave që kanë mbijetuar kanë përjetuar probleme serioze mendore dhe neurologjike.
Mjekët theksojnë se foshnja e quajtur Denver, që ka lindur më 17 mars menjëherë pas operacionit, pas rreth një periudhe dymujore është ende e shëndetshme, nuk përdor ilaçe për pamjaftueshmërinë (insuficiencën) kardiake dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje shtesë.
Kjo është shtatzania e katërt për çiftin amerikan Derek dhe Kenyatta Coleman, të cilët u njohën me problemin në javën e 30 të shtatzanisë dhe një muaj më pas u krye ndërhyrja.
“Më 15 mars, saktësisht një muaj pas ekografisë që evidentoi keqformimin, u bë operacioni. Fëmija tregoi menjëherë shenja përmirësimi. Foshnja lindi menjëherë më 17 mars, në 34 javë. E dëgjova të qante për herë të parë dhe nuk mund ta përshkruaj me fjalë se si u ndjeva në atë moment,” kujton nëna e foshnjës.
“Tani, gati dy muaj pas lindjes, foshnja vazhdon të jetë mirë dhe e kalon pjesën më të madhe të kohës duke fjetur dhe duke ngrënë dhe nuk duket se ka nevojë për ndonjë ndërhyrje të mëtejshme”, përfundoi nëna.