Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i bëri thirrje Bashkimit Europian që t’i mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në BE.
Në një fjalim para Parlamentit Europian për të ardhmen e Europës, Scholz bëri thirrje edhe për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan rel.
“Europa duhet të hapet edhe ndaj të tjerëve. Vendime kyçe për Europën ishin ato të vitit të kaluar, kur vendosëm të punojmë për një Europë të zgjeruar. U kemi thënë vendeve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe Ukrainës, Moldavisë e ndoshta edhe Gjeorgjisë, se e kanë vendin në Europë“, tha Scholz.
“Europa gjeopolitike duhet t’i mbajë premtimet e veta. Premtimet duhet të mbahen ndaj vendeve të Ballkanit, të cilave po u premtojmë anëtarësim tash e 20 vjet. Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojnë reformat për integrim. Duhet të avancohet edhe procesi i negociatave me Maqedoninë e Veriut. Zgjerimi nuk duhet të jetë i vetmi motiv për reforma, por duhet të kihet parasysh“, tha kancelari gjerman.