Magjia e zezë e shtriganëve afrikanë, që sipas Dimitri Seluk nuk lejonte Pep Guardiolën që të fitonte Champions League, ka përfunduar.
Ish-agjenti i Yaya Toure, në vitin 2016, deklaronte se trajneri spanjoll kishte gabuar rëndë duke poshtëruar mesfushorin nga Bregu i Fildishtë.
Gjatë sezonit 2017/2018, Toure u ankua se Pep Guardiola i kishte shkatërruar sezonin e fundit te City. Në vitin 2018, agjenti i tij, Dimitri Seluk, zbuloi se shtriganët afrikanë e kishin mallkuar Guardiolën me mosfitoren e Champions League në të ardhmen pasi sipas tij trajneri spanjoll kishte gabuar duke poshtëruar mesfushorin nga Bregu i Fildishtë.
5 vite më vonë, Dimitri Seluk ka njoftuar fundin e mallkimit në një intervistë për “The Mirror”:
“Dua të kërkoj falje për këtë çështje. Jam i bindur që edhe Yaya Toure dëshiron vetëm suksese për Cityn. Mund të them që shtriganët e kanë hequr mallkimin dhe City do ta fitojë Championsin me Guardiolën”.
“Edhe nëse nuk e fitojnë këtë vit, do ta fitojnë në një nga 3 vitet e ardhshme”, shtoi ish-agjenti i Yaya Toure.
Vetë ish-futbollisti 39-vjeçar është distancuar nga kjo çështje me anë të një postimi në Twitter:
“Ish-agjenti im po citohet nëpër media mbi një “mallkim”. Ju lutem, mos më fusni mua me këto gjëra pa kuptim mbi mallkimet afrikane. Ai njeri nuk më përfaqëson mua në asnjë lloj fushe”.