Dy turiste humbën tragjikisht jetën në zonën e Valbonës, në Tropojë, pasi ranë në greminë. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se viktimat janë një turiste belge dhe një franceze.
Ato ishin nisur për hiking në terrenin malor që lidh luginën e Valbonës me fshatin turistik të Thethit, por u rrëzuan në një greminë.
Me marrjen e njoftimit, autoritetet nisën menjëherë kërkimet dhe trupat e turisteve u gjetën në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”.
Trupat e pajetë të dy vajzave nuk janë nxjerrë ende nga vendi ku kanë rënë dhe ku u gjetën prej policisë pas disa orësh kërkime.
Për shkak të terrenit të thepisur dhe motit të keq me mjegull dhe borë është bërë e pamundur ulja e helikopterit nga skuadra alpine e FNSH-së së Shkodrës.
Sipas informacioneve paraprake, rezulton se dy vajzat janë nisur pa një udhërrëfyes-guide dhe pasi kanë lënë Thethin, kanë kaluar në pjesën malore, aty ku janë përballur me dëborën që ende është e pranishme. Pa informacionin e duhur për terrenin dhe shtigjet, vajzat kanë vendosur të kalojnë mes dëborës dhe aty dyshohet se janë rrëzuar në greminë pasi kanë rrëshqitur.
Tragjike për to ka qenë goditja e mëvonshme nga një ortek. Drejt vendit të ngjarjes, janë nisur policia dhe banorët e zonës, ndërsa sqarohet se ngjarja ka ndodhur në të njëjtin vend ku në 10 Maj të vitit të kaluar humbi jetën një turist gjerman. Sakaq, në media është zbuluar edhe identiteti i njërës prej viktimave. Ajo është 25-vjeçarja belge Baets Myrthe.
“Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve”, thuhet në njoftimin e policisë.