Dy turiste të huaja gjetën vdekjen, ditën e djeshme, teksa ishin duke eksploruar Valbonën. Mësohet se ato u rrëzuan për shkak të terrenit të thepisur dhe përfunduan në greminë.
Në një lidhje direkte në A2 CNN, guida turistike, Aida Gjeçaj, tregon se pse ndodhi ky incident.
“Ishin një grup shokësh dhe dy të tjerët ishin ata që njoftuan për rrëzimin e shoqeve të tyre. Qafa e Valbonës është shkëmb malor i drejtë, është si fletë e drejtë. Nëse nisesh nga Thethi, ajo zonë nuk ka borë, aty ka shkrirë. Aty mund të ecësh mirë, ndërsa në Valbonë ka borë. Unë mendoj se ata janë nisur nga Thethi dhe nuk e kanë ditur që ka borë më pas. Nëse do të ishin nisur nga Valbona, do ta shikonin që ka borë dhe nuk do të ngjiteshin fare. Faqja shkëmbore nga krahu i Valbonës është e gjitha në hije dhe aty ka borë të ngrirë. Aty vetëm guidat lokale mund ta hapin shtegun këmbësor. Ne, çdo turisti që na kërkon kalimin e Qafës së Valbonës, u themi që është i pakalueshëm”, tha Gjeçaj.
“Grupi ishte pa guidë me vete. Ndoshta kanë menduar se duke qenë me origjinë nga vende që kanë male me borë, mund ta bëjnë pa guidë. Por, Qafa e Valbonës ka borë të ngrirë deri në korrik. Në momentin që ti vendos këmbën aty, dëbora mund të shkëputet një copë. Pas teje, mund të krijohet edhe ortek. Prandaj nuk rekomandohet që të bëhet pa guidë”, shtoi guida turistike.