Ashtu siç edhe e paralajmëroi më herët, këngëtari Luiz Ejlli ka dalë zyrtarisht në fushatë në mbështetje të kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci.
Ai ka qenë në krah të Benet Beci në një takim që ky i fundit ka mbajtur me një grup të rinjsh, teksa ka mbajtur dhe fjalimin e tij.
“Është njeri i mirë, më besoni, do t’iu ndihmojë të gjithë”, dëgjohet teksa thotë Luizi në një video të publikuar në rrjetet sociale, teksa më tej shton në formë humori: “Me sa kam marrë vesh, Beneti e ka të fituar, por po të kisha qenë unë ia kisha marrë”.
Ndërsa në një video të publikuar në rrjetet sociale nga Edona Bilali, është momenti kur Luizi takohet me Benet Becin, teksa të rinjtë bërtasin “O Luiz o kampion, gjithë Shqipëria ty të don”.
Më herët, Luizi publikoi një foto ku shfaqej në krah të Benet Becit. Gjatë qëndrimit në Big Brother Vip, Luizi e ka përmendur disa herë Benet Becin dhe ka deklaruar se është habitur nga mbështetja që ka marrë dikur nga ai, vetëm e vetëm pse ishte shkodran.
“Kur nuk të ndihmojnë ata që mendon se i ke pasur afër, si mund të pretendosh të të ndihmojë dikush vetëm pse është shkodran. Personi në fjalë quhet Benet Beci, një familje shkodrane që unë e njoh shumë mirë, dhe e kam marrë në telefon. Ma ka hapur telefonin direkt. I thashë çfarë ke mundësi ndonjë vend pune, unë do ta bëj. Më ka ndihmuar, më ka futur në punë direkt dhe i jam mirënjohës gjithë jetën” – ka deklaruar Luizi.