Politika “Fredi Beleri po kërcënon emigrantët se do u grisë letrat”, Rama: S’ka...

“Fredi Beleri po kërcënon emigrantët se do u grisë letrat”, Rama: S’ka Zot që kjo të ndodhë, Greqia s’do një sekser maskara

Kryeministri Edi Rama nuk i ndahet kandidatit të “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredit Belerit. Rama tha nga Kamza se Beleri ka nisur kërcënimet se kush nuk e voton do ua grisë letrat greke.

Për këtë arsye, kreu i qeverisë thotë se një gjë e tillë nuk ka shanse të ndodhë duke thënë se ai është personi që ka mbajtur marrëdhënie shumë të mira me Greqinë fqinje, e që sipas tij, nuk ka nevojë për “sekser”, siç e quajti Belerin.

“Shikoni tani se deri ku ka shkuar puna se kjo është shumë e rëndësishme. Shumë e rëndësishme dhe shumë e thjeshtë për t’u kuptuar se ndoshta deri këtu ok, mund të vazhdojmë diskutojmë, jo po se shiko, Amerika kështu, Amerika kështu, jo po duam Amerikën, duam edhe bacën se baca është burrë i mirë etj., etj. Sa burrë i mirë është baca këtë ma lini se e di vetë nuk ka nevojë të ma mbushni mendjen. Po të ishte burrë i mirë baca nuk ia jepte mundësinë atij që ka dalë atje në Himarë me mbështetjen e bacës dhe të Like floririt dhe që kërkon vota “Bashkë Fitojmë” për të helenizuar Himarën thotë ai. Kjo është diçka që PD-ja nuk e ka bërë as në vitet ’90, as në vitet 2000 kur ishin punët thikë më thikë me PS-në dhe kur në të gjithë bashkitë e tjera zgjedhjet bëheshin me konflikte të jashtëzakonshme. Njerëzit digjnin posterat dhe grushtonin njëri-tjetrin për një flamur në shtyllë. Ama atje në Himarë vajtëm bashkë, PS-ja dhe PD-ja. Vajtëm bashkë në Himarë për të mbështetur një kandidat të përbashkët kundër dikujt që kishte tendenca anti-shqiptare. Por ai kandidati atëherë kundër të cilit u vunë PS-ja dhe PD-ja ishte një zotni burrë krahasuar me këtë maskara që ka dalë atje në Himarë dhe me mbështetjen e “Sal-Like Floririt” kërkon votën për “Bashkë Fitojmë”. Kush fiton me të? Kush fiton me të? Me të është e sigurt që nuk fitojnë demokratët, nuk fiton e djathta shqiptare, e djathta e respektit për kombin, për sovranitetin e për të gjitha me radhë. Prandaj atë sovranitetin që ua shet baca të djathtëve, të djathtët duhet ta kuptojnë mirë që nuk është sovranitet kur baca do t’i shmanget përballjes me vulën që i ka vënë në ballë Amerika dhe pastaj është vasalitet kur çon atje një eksponent që vjen nga skutat më të errëta të historisë së armiqësisë ndaj shqiptarëve, i cili kërcënon edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, i cili kërcënon njerëzit që po nuk votuan, do t’ju heqë mundësinë për të shkuar në Greqi, i cili kërcënon emigrantët se po nuk erdhën të votojë për të do t’u marrë letrat dhe do t’ua grisë. Dhe ju them të gjithë emigrantëve që dëgjojnë sekserët e këtij që nuk ka Zot që atyre ua gris letrat se po të jetë puna për të pasur një avokat mbrojtës në Greqi, e dinë adresën. Adresa është tek Kryeministria. Nuk është tek një honxho bonxho, një që është i rrethuar nga sekserë që ka mbetur i ngrirë nuk e di sa dekada e shekuj më përpara, në kohën e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Ne nuk kemi nevojë për persona që nxisin urrejtje. Ne duam miqësi. Ne grekët i kemi vëllezër, por secili në shtëpinë e tij dhe në shtëpinë tonë, shqiptarë dhe grekë janë të barabartë. Nuk ka shans që të çohet dikush dhe të nëpërkëmbë shqiptarët ashtu sikundër të gjithë shqiptarët respektojnë grekët, por në vendin e tyre, në shtëpinë e tyre. Ky maskara që thotë që unë do vë në vend të drejtat e mohuara 60 vjet. Çfarë 60 vjet? Ky nuk di të bëjë as llogari se nuk e di pse i llogarit dhe 60 vjet. Do vërë në vend të drejtat, do helenizojë Himarën. Do e kthejë Himarën në një, ku e di unë se çfarë. Atë atje ne nuk e kemi peshqesh as nga qeveria greke, as nga Greqia. Ne atë e kemi peshqesh nga ajo dyshe faqezezë”, tha Rama.

Një mesazh ka pasur edhe për demokratët e Kamzës. Ai deklaron se në 14 maj janë përpara një zgjedhjeje pasi kanë si opsion për të ecur pas nga partia e tyre apo përpara me socialistët. Për Ramën, kjo zgjidhje është shumë e thjeshtë, të votojnë kandidatin socialist Rakip Suli dhe sipas tij “e kanë kryer detyrën qytetare”.

“Nëse sot demokratët nuk kanë një parti që nuk i besojnë, por i ofrohet një destinacion kthim pas dhe vetëshkatërrimi nuk është e nevojshme të votojnë PS, por të votojnë Rakip Sulin, e kanë bërë detyrën”, tha Rama.

Ai është shprehur i bindur për një fitore në Kamëz duke thënë se është projekti më i mirë që mund t’u ofrohet qytetarëve, pasi nuk ka ngjyrim “blu ose mavi”, por kuqezi.

“Kam besim se nënat dhe gratë e Kamzës pavarësisht se çfarë bindjesh kanë dhe kë kanë votuar përpara do të shkojnë në kutinë e votimit me vlerësimin për faktin se fëmijët e tyre shkojnë në shkolla të gjeneratës së re që janë shkolla njësoj si në qytetet europiane.

Madje janë si shkollat e mira të qyteteve europiane. Kam shumë besim se gratë e Kamzës do i marrin dhe burrat me vete që të votojnë jo symbyllur, jo për partinë por për sigurinë e vazhdimësisë së një projekti që ka vetëm një garant, që është Rakip Suli. Të bësh të kundërtën është njësoj sit ë jesh duke fluturuar mbi një kalë, të ndalosh dhe pastaj t’ia hipësh një mushke”, tha Rama.