Politika Berisha: Arrestimi i Fredi Belerit, hakmarrje politike e Edi Ramës

Berisha: Arrestimi i Fredi Belerit, hakmarrje politike e Edi Ramës

Arrestimin e Fredi Belerit në Himarë, Sali Berisha e konsideron “hakmarrje politike të Kryeministrit Rama”.

Në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia blu, Berisha akuzoi Kryeministrin Rama për “qëllime mafioze ndaj tokave të Himarës”.

“Komenti im për këtë ngjarje është një veprim i verbër politik, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës ndaj një kandidati të opozitës me manipulime, me angazhim të një manipulatori dhe ish-bashkëpunëtori të bandave, që drejton sot Policinë e Vlorës dhe që quhet mos gaboj, Ermal Muça. Ky ka qenë bashkëpunëtor me bandën e Shullazit dhe banda të tjera dhe unë dënoj aktin, dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shitblerje vote kudo që kjo të ketë ndodhur.

Por, duhet të informoj qytetarët shqiptarë se janë pasionet mafioze, qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë.

Sikundër, përdorimi i dhunës është një akt in-ekstremis për të trembur zgjedhësit në këtë komunitet dhe jo vetëm aty. Unë kam gjetur në Dropull një klimë terrori, ku policia thërriste zgjedhësit dhe u bënte presion të mos votojnë për kandidatin tonë të shkëlqyer, Thanas Manekën, por të votonin për kandidatin e Edi Ramës.

Terror është ushtruar nga Belinda Balluku, e cila shoqërohet me banditë dhe drejtorë. Është ushtruar në Pukë nga kriminelë të armatosur të Gjon Gjonajt. Por këto nuk do pengojnë fitoren e opozitës shqiptare më 14 maj. I them Edi Ramës se me dhunë dhe terror, do bëhesh përgjegjës para ligjit se ke bërë prokurorin ndaj Fredi Belerit. Ka një javë që e ka bërë epiqendër e sulmeve të padenja për një njeri. Po të jetë puna për blerje votash, ato në mënyrën flagrante janë tentuar duke thënë bonusin mbi 600 mijë pensionistëve në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, të cilin Edi Rama e konsideron kinezeri; me përdorimin masiv të punësimeve. Vetëm pensionistë janë shtuar 13 mijë në këtë periudhë, pa kontribute. Vetëm për aftësitë ndryshe janë shpërndarë në Dibër 400 milionë lekë nga thesari, etj. Janë shpërndarë në Shqipëri 10 miliardë lekë. Kjo ka qenë masive dhe nëse ka një njeri që ka kryer një megakrim elektoral, është Edi Rama, Belinda Balluku, Taulant Balla, Damian Gjiknuri, Olta Xhaçka, Elisa Spiropali, Tom Doshi e me radhë”, tha Berisha.

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri u arrestua në akuzën për korrupsion aktiv në zgjedhje për blerje votash.