Aktualitet Fredi Beleri njihet sot me masën e sigurisë, në gjykatë ambasadorja greke,...

Fredi Beleri njihet sot me masën e sigurisë, në gjykatë ambasadorja greke, Dule nuk lejohet

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri do të dalë sot para Gjykatës së Vlorës, ku do t’i komunikohet masa e sigurisë.

E pranishme në seancë do të jetë edhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi. Po ashtu ka mbërritur edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, por nuk është lejuar në seancë.

Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule u shpreh se Fredi Beleri duhet të lirohet menjëherë.
“E kërkon logjika nga çdo optikë qoftë ajo që të lirohet menjëherë. Avokatët janë njohur dhe qëndrimin zyrtar mund ta shprehin ta. Ishte një vendim i paralajmëruar. Kemi një proces parodi, qëllimi është një dhe i vetëm të rrëmbejnë përfaqësimin e Himarës”, është shprehur Dule.

Prokuroria e Vlorës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin dhe Pandeli Kakoveshin.

Mësohet se Beleri ka kërkuar një masë të butë sigurie për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi sipas tij vuan nga diabeti.

Ndërsa Pandeli Kakoveshi, miku i Fredi Belerit, i arrestuar po ashtu për blerje votash, është shtruar në spital te QSUT në Tiranë, pasi ka pretenduar se ka probleme shëndetësore.

Beleri u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Vlorës për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Arrestimi i tij erdhi 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 Majit, ku 51-vjeçari garon përballë kryetarit aktual të bashkisë, Gjergji Goro, i cili kërkon një mandat tretë.

Në pranga u vu edhe Pandeli Kokoneshi i akuzuar për të njëjtën vepër penale. Policia thotë se pas arrestimit të tyre ka sekuestruar një shumë parash prej 40 mijë lekësh të rinj.

Sipas policisë, hetimet nisën 4 ditë më parë pas informacioneve se disa persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues.