Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Himarës, i cili u arrestua dy ditë më parë me akuzën e blerjes së votave.
Gjykata gjithashtu shpalli moskompetencën për gjykimin e çështjes. Sipas kompetencës së parashikuar në ndryshimet e reja të kodit të procedurës penale në vendin tonë, hetimin e mëtejshëm ndaj kandidatit të koalicionit opozitar në Himarë, Fredi Beleri do ta zhvillojë SPAK, që ka autorizimin për hetimin e krimeve zgjedhore.
“Foli në seancë. Foli që në asnjë moment nuk u provua në ato që referoi prokurori, në asnjë moment nuk u provua as ekzistenca e listave. Ishte duke dalë jashtë lokalit dhe mënyra e rrëmbimit të tij provoi se aty konsistonte rrëmbimi që t’i gjenin ndonjë gjë në flagrancë, u provua që nuk u gjet asgjë”, tha një familjar i tij pas gjyqit.
Beleri është shprehur se nuk ka asnjë dijeni për akuzat e prokurorisë dhe se nuk ka dëgjuar asnjë nga situatat që pretendon ajo. Avokatët e tij kanë thënë se Beleri nuk shfaqet në asnjë moment në përgjime duke folur për para prandaj kërkuan që të përcaktohet një masë më e butë sigurimi.
Sipas policisë së Vlorës, arrestimi i Belerit, është bërë pasi ka konsumuar veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, parashikuar nga neni 328 i kodit penal. Së bashku me Belerin, policia ka arrestuar edhe bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi, për të njëjtën akuzë, ndërsa avokati u lirua disa orë pas shoqërimit.
Në seancën gjyqësore ishte e pranishme edhe ambasadorja greke në vendin tonë Konstantina Kamitsi, ndërsa kreu PBDNJ, Vangjel Dule, nuk u lejua të ishte pjesë e procesit. Jashtë ambienteve të gjykatës, Dule e cilësoi arrestimin një vendim të paralajmëruar.
Beleri u arrestua në orët e para të së premtes me urdhër të Prokurorisë së Vlorës për korrupsion aktiv në zgjedhje. Arrestimi i tij erdhi 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 Majit, ku 51-vjeçari garon përballë kryetarit aktual të bashkisë, Gjergji Goro, i cili kërkon një mandat tretë.
Fredi Beleri u bë pjesë e debatit politik në mesjavë edhe për shkak të një deklarate që bëri gjatë një interviste për gazetën greke ‘Protothema’, në të cilën ai përmendi një plan për helenizimin e Himarës, çka ai e mohoi më vonë.