Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule vijoi ta quajë procesin parodi pasi kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Himarën u la sot në burg nga Gjykata e Vlorës.
Në një prononcim për gazetaret, Dule deklaroi se ky proces ndaj Belerit është kryer në çdo fazë me porosi të kryeministrit Edi Rama.
Megjithatë, Kreu i PBDNJ u shpreh i bindur se Belerin do ta “lirojë” vota e himariotëve të dielën e 14 majit.
“Një lutje, jeni dëshmitarë të një procesi parodi, në të gjitha fazat dhe etapat e tij. Një proces i projektuar, i motivuar dhe i ekzekutuar nën urdhrat dhe porositë e Edi Ramës. Rezultati dihet. Pengmarrja e zotit Beleri vazhdon. Por askush të mos ketë as më të voglin iluzion. Ndërsa Edi Rama vijon ta mbajë peng, do ta lirojë në mënyrë triumfale vota e nesërme e himarjotëve nga Palasa në Qeparo dhe nga lumi i Vlorës në Himarë”, deklaroi Vangjel Dule para gazetarëve.
Gjykata e Vlorës shpalli po ashtu moskompetencën për gjykimin e çështjes. Sipas kompetencës së parashikuar në ndryshimet e reja të kodit të procedurës penale në vendin tonë, hetimin e mëtejshëm ndaj kandidatit të koalicionit opozitar në Himarë, Fredi Beleri do ta zhvillojë SPAK, që ka autorizimin për hetimin e krimeve zgjedhore.