Greqia ka reaguar me tone të forta pasi Gjykata e Vlorës la në burg kandidatin e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri.
Ministria e Jashtme greke e cilëson vendimin e sotëm si skandaloz nëse provat ndaj tij nuk janë të të pakundërshtueshme.
Në njoftim thuhet po ashtu se do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
“Vendimi i sotëm i gjykatës së Vlorës, nëse provat nuk janë të pakundërshtueshme, është skandaloz. Arrestimi i një kandidati për Kryetar Bashkie dy ditë para zgjedhjeve nuk përbën shtet ligjor. Vendimi për ndalimin e kandidatit për Kryetar Bashkie sjell një ndryshim të plotë të rregullave të barazisë në zgjedhjet bashkiake në Himarë, qendra më e rëndësishme e pakicës kombëtare greke në Shqipëri.
Një vendim i tillë do të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë, pasi kusht i kësaj rruge europiane është respektimi i rregullave europiane dhe parimeve të shtetit të së drejtës nga vendet kandidate. Vendime si ky i sotmi që shkelin parimet e mësipërme do të thotë se në praktikë Shqipëria nuk po ndjek rrugën evropiane”, deklaroi Ministria e Jashtme greke.
Beleri u arrestua në orët e para të së premtes me urdhër të Prokurorisë së Vlorës për korrupsion aktiv në zgjedhje. Arrestimi i tij erdhi 48 orë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 14 Majit, ku 51-vjeçari garon përballë kryetarit aktual të bashkisë, Gjergji Goro, i cili kërkon një mandat tretë.
Fredi Beleri u bë pjesë e debatit politik në mesjavë edhe për shkak të një deklarate që bëri gjatë një interviste për gazetën greke ‘Protothema’, në të cilën ai përmendi një plan për helenizimin e Himarës, çka ai e mohoi më vonë.