Kryesore Humbjet në Elbasan, Kamëz dhe Vorë, Berisha hedh dyshime tek aparaturat

Humbjet në Elbasan, Kamëz dhe Vorë, Berisha hedh dyshime tek aparaturat

Humbjen në Kamëz me 10 mijë vota diferencë dhe humbjet në Elbasan dhe në Vorë, Sali Berisha i ka komentuar me pak fjali, ndërsa po denonconte kërcënimin e Salvador Kaçajt në Lezhë.

Berishaka hedhur dyshime edhe tek aparaturat e votimit dhe numërimit elektronik për bashkitë e Elbasanit, Kamzës dhe Vorës ku forca e tij humbi. Berisha tha se do të kërkohet auditim i aparaturave pas dyshimeve për manipulim të votave.

Berisha foli edhe për akte terrori të paimagjinueshme dhe blerje masive votash, duke shpjeguar në këtë mënyrë humbjet në këto tri bashki.

 “Për këto rezultate ka disa kundërshtime shumë të forta. Janë mediat që kanë paraqitur dëshmi për transformim të votës në këtë proces. Unë kërkoj nga KQZ që të bëjë auditim të aparaturave. Së dyti kodi zgjedhor ka parashikimet e veta të sakta kur dyshohet në devijimin e rezultatit nga aparaturat. PD do të ushtrojë të gjitha të drejtat e saj për rezultatin.

Ku ka dyshime për rezultatet do të bëhet auditim. Kanë dalë disa mediat që kanë deklaruar dhe që kanë thënë se kam votuar për një kandidat dhe në ekran më ka dalë kandidati tjetër. Nuk jam unë që i jap përgjigje kësaj. Kush ka dyshime për transformimin e votës së tij të bëjë transparencë. Votimi elektronik konsiderohet një rezultat paraprak.

Unë jam besimplotë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve, por ne kemi bërë një monitorim të shkëlqyer të procesit. Nuk kemi ndjekur praktikën e denoncimit të akteve skandaloze që kemi zbuluar pasi nuk dëshironim të dekurajonim zgjedhësit. Pjesëmarrjen për zgjedhje vendore unë e konsideroj një pjesëmarrje të mirë”, tha Berisha.

“Në Lezhë i është bërë atentat Salvador Kaçajt, vepër e Ramës dhe Pjerin Ndreut”

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë e një denoncim duke thënë se në  Lezhë i është bërë atentat ish-kreut të komunës në Shëngjin  Salvador Kaçajt.

Berisha ka treguar me detaje se si ka ndodhur ngjarja ndërsa akuzoi Pjerin Ndreut si person që fshihet pas kësaj ngjarje.

Po ashtu ai theksoi se atentati i dështuar ndaj Kaçajt është vepër e Edi Ramës.

“Fushata elektorale është karakterizuar nga akte dhune, terrori të papara ndaj përfaqësuesve, zyrtarëve, deputetëve të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.

Siç keni konstatuar, ne kemi ndjekur një linjë, duke regjistruar çdo akt terrori, çdo akt, çdo përpjekje për blerje masive votash, të proporcioneve të paimagjinueshme, gjer në oferta sot në mëngjes thuaj ‘sa do, euro për votën’, por këto sigurisht janë të dokumentuara dhe evidentuara dhe kemi informuar rregullisht vëzhguesit ndërkombëtarë. Kemi informuar KQZ, kemi informuar organet. Por unë sot dola para jush për një rast kriminal të jashtëzakonshëm, ku Salvator Kaçit, një nga eksponentët kryesorë të PD në Lezhë, ish-kryetar i Bashkisë së Shëngjinit, njeri me një reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e sportit, e kanë ndjekur dy makina pa targa, ku ai ka qenë bashkë me djalin e vet dhe shoferin.

Persona të maskuar, të armatosur kanë dalë nga makina dhe janë bërë gati të qëllojnë mbi ta. Shoferi i Salvatorit, një ish-gardist i sprovuar ka arritur të manovrojë me makinë dhe t’i bëjë të pasigurtë në atentatin e tyre.

Ata e kanë ndjekur mbrapa me armë në dorë që t’i vrisnin, nuk kanë arritur. Por të gjitha këto janë të filmuara. Unë ju them ju se dje dhe pardje, bandat e Pjerin Ndreut kanë terrorizuar zonë pas zone rrethin e Lezhës dhe e kanë bërë këtë akt, i kemi të filmuara, në shoqërim nga policia, e cila kalonte afër dhe as që iu thoshte, përkundrazi krijonte përshtypjen te banorët se po bënte sigurimin e banditëve.

Pra, kjo ka qenë situata në Lezhë që kulmi me përpjekjen për eliminimin fizik të Salvatorit dhe djalit të tij, që është shtetas amerikan dhe ka ardhur për të votuar me familjen e vet.

Ky atentat i dështuar ndaj Salvator Kaçit është vepër kryekëput e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut. Edi Rama, siç e dini, u mor personalisht me Salvatorin në fjalimin e tij në Lezhë, në një kohë kur Salvatori krahas mbështetjes ndaj kandidatit Pashk Gjoni, ka zbatuar gjithë jetën e tij rregullat dhe ligjet elektorale dhe nuk ka asnjë veprim të paligjshëm.

Por mbështetja për Pashk Gjoni nga Salvatori ka kërcënuar zgjedhjen e banditit Pjerin Ndreu dhe kanë krijuar bashkë me Ramën një mënyrë për eliminimin e tij bashkë me djalin në makinë. Ky akt është një krim i shëmtuar, personalisht i Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut, me të cilin ata kanë synuar me çdo kusht dhe çdo çmim të ndryshojnë rezultatin në Lezhë nëpërmjet një akti të tillë dhe natyrisht eliminojnë fizikisht një kundërshtar të shpallur nga Edi Rama si njeri të rrezikshëm për rezultatin e tij në Lezhë. Unë dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt. Sigurisht që ky është akt kulmor në terrorin ndaj drejtuesve të PD, por raste të tjera me kërcënime të forta dhe të egra ekzistojnë dhe ne do i bëjmë publike.

Theksoj se të gjitha këto akte dhune të bandave janë përcjellë me indiferencë të plotë ose mbështetje nga policia.

Salvatori ka bërë denoncimi dhe janë marrë edhe kamerat ku duket qartë gjithçka”, tha Berisha.