Ish-kryeministri Sali Berisha është pyetur se a do të njohë zgjedhjet nëse rezultatet do të flasin për një humbje të opozitës. Berisha tha se do të mbrohet çdo votë.
“Ne do të mbrojmë votën. Ne jemi në proces të mbrojtjes së votës. Unë ftoj shqiptarët që të lexojnë siç duhet deklaratën time. Ai bëri gjithçka që ne të mos hynim në proces, ajo nuk është taktika ime. Nuk mundem unë që me apriori të bëj qëndrime.
Ishte lehtësisht e parashikueshme, por për mua nuk janë hipoteza pune. Unë bazohem në prova. Rama ka bërë gjithçka për të deformuar këto zgjedhje. Nuk jap shifra se sa do të fitojë opozita, por ne kemi dominuar në mbarë vendin.
Kemi pasur poll-et tona që na tregonin të njëjtën gjë. Jam këtu për të ftuar numëruesit që të kryejnë detyrën e tyre pa asnjë lloj ndikimi. Ata janë nën presionin e bandave dhe oligarkëve të qeverisë”, tha Berisha.
Ai u pyet edhe për rezultatin e dobët që opozita ka marrë për këshillat bashkiakë në Elbasan, Kamzë dhe Vorë.
“Ne kemi pasur përparësi kandidatët. Partitë e tjera të koalicionit kanë marrë mbështetjen tonë për këshillat bashkiakë”, tha Berisha që tha se për çdo lloj rezultati do të mbajë përgjegjësi.
“Statuti do zbatohet pikë për pikë. Statuti ka parashikuar përgjegjësi. Në zgjedhjet lokale si rregull, rivotimin e kryetarit të partisë nga anëtarësia. Është automatike kjo. Kjo bëhet automatikisht” – tha Berisha.